33 vjet nga mësymja e ambasadave

33 vjet më parë, një kamion i tipit “Skoda Liaz”, që drejtohej nga Ylli Bodinaku me 40 njerëz në rimorkio, shembi murin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

Ashtu si e kujtojnë banorët e zonës, të cilët kishin shtëpitë prapa bllokut të ambasadave, ngjarja kishte përmasat e një shpërthimi. Por, ajo që kishin dëgjuar ishte zhurma e kamionit të rëndë, që sheshonte tërësisht murin e betontë.

Pamje e brendshme e murit të sheshuar të Ambasadës Gjermane nga kamioni tip Skoda, me në drejtim Ylli Bodinakun, Disa çunakë të lagjes vrapuan për të parë ç’kishte ndodhur. Ndërkohë, disa të tjerë, pak më të rritur, të shqetësuar shkuan po atje.
Me të hedhur këmbët brenda territorit të Ambasadës së Gjermanisë, të paktë do të ishin ata që e kthenin shikimin pas.
Pamje e brendshme e Ambasadës Gjermane pas mësymjes, 2 korrik 1991, © Werner Daum

Sot, në atë rrugicë jo fort të rëndësishme të Tiranës, banorët shohin çdo ditë pamjen e një instalacioni, i cili i rikrijuar, përkujton pikërisht 2 korrikun – ditën, e cila cilësohet si fillimi i eksodit të madh të shqiptarëve.

Rreth 3 mijë e 200 shqiptarë, do të mblidheshin brenda oborrit të ambasadës. Mijëra të tjerë në hapësirat e ambasadave tjera. Kërkesa, do të ishte një, e vetme dhe e pazakontë: Na jepni mundësinë të jetojmë në vendin tuaj!

Pamje e brendshme e Ambasadës Gjermane, pas mësymjes së shqiptarëve azilkërkues, © Platiel

Madje, edhe persona të cilët nuk kishin arritur të futeshin dot brenda oborrit, gjenin mundësi me anë të shtëpive përtej murit, të cilat i ofronin aty shkallë për të kaluar mbi gjembaçët, të cilët edhe sot e kësaj dite, thuajse të ndryshkur, ndodhen në murin e selisë diplomatike gjermane në Tiranë.

Në gjashtë vitet pasuese, mendohet se rreth 450 mijë qytetarë, u larguan nga Shqipëria. Pjesa më e madhe e tyre shkoi drejt Greqisë. Të tjerë preferuan Italinë, Gjermaninë. Disa më të guximshëm, edhe kontinente të tjera, si SHBA-në apo Australinë.

Në shkurt-mars të vitit 1991, portet e Durrësit dhe të Vlorës u mësynë nga qytetarët. Jozyrtarisht thuhet se ishin rreth 30 mijë, që tejmbushën anijet drejt Italisë.

Ekuipazhet e anijeve u detyruan t’i shpinin njerëzit përtej bregut. Jo të paktë ishin ata, të cilët nga tejmbushja e anijes, u detyruan të hidheshin prej dokut në ujin e kripur.

Shqiptarët tejmbushin anijet për t’u larguar drejt Italisë, © Waltraud Schroder

Emigrimi masiv vijoi përgjatë viteve, duke kulmuar në periudhën 1997-1998. Skemat piramidale dhe zbulimi i mashtrimit të tyre, lanë një shumicë popullsie të dëshpëruar.

Rreth 150 mijë shqiptarë, u larguan përtej kufijve vetëm në këtë hark kohor një vjeçar. Prej eksodit të parë, të paktën 1.3 milionë shqiptarë jetojnë jashtë kufijve.

Mbi 560 mijë ndodhen vetëm në Itali. Rreth asaj shifre, është edhe numri i atyre që janë në Greqi. Rreth 86 mijë kanë provuar fatin përtej oqeanit, në SHBA. Në pjesën tjetër të botës, rreth 144 mijë të tjerë.

Një grup shqiptarësh largohen drej Gjermanisë me tren, © Sven Simon

Edhe në vitet e fundit ka një rritje të numrit të shqiptarëve që largohen nga vendi. Shumica e të rinjve synojnë të jetojnë diku tjetër.

Bazuar në një studim të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, 40% e të rinjve të pyetur duan të largohen nga Shqipëria.

Pikërisht sot, Shqipëria përkujton këtë eksod masiv. Një eksod, pamjet e të cilit janë rrënjosur thellë në kujtesën kolektive të shqiptarëve./Albanianpost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne