50% më shumë aksidente në fundvit/ Në rrugë, dita e shtunë si “Black Saturday”

Numri i aksidenteve në muajin dhjetor të vitit 2023 paraqitet me një rritje 49.5% në raport me një vit më parë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në këtë muaj kanë ndodhur 157 aksidente rrugore nga 105 të ndodhura në muajin Dhjetor të vitit 2022.

Më shumë aksidente, më shumë viktima dhe të plagosur. Konkretisht në mbyllje të vitit 2023 rezultojnë të jenë 200 persona të vrarë dhe të plagosur ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë fatalitetet dhe plagosjet nga aksidentet ishin 49.2% më pak. Përsa i përket gjinisë së personave të aksidentuar rezulton se meshkujt kanë qenë 2 herë më të rrezikuar sesa femrat. Në vlerë nominale themi se të aksidentuarit janë 32% femra dhe 68% meshkuj. Për aksidentet rrugore dita e shtunë ka rezultuar si “Black Saturday” pasi janë shkaktuar 21% e aksidenteve ndërsa ditën e Mërkurë është regjistruar numri më i ulët i aksidenteve. Përsa i përket fashës së orarit, 24.2% e aksidenteve kanë ndodhur gjatë orës 08:00-12:00.

Aksidentet janë ngjarje të padëshiruara dhe të paqëllimshme por që vijnë nga pakujdesia herë e njërës palë e herë e palës tjetër. Sipas të dhënave të INSTAT si shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore në 74,5 % të rasteve janë shkaktuar si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit në timon. Sipas INSTAT edhe mosha më problematike që ka shkaktuar 25.5% të aksidenteve ishte 25-34 vjeç. Kjo grupmoshë gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2023 shkaktoi 6.1% më shumë aksidente se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Por, edhe pala tjetër pra këmbësorët janë treguar të papërgjegjshëm me lëvizjen e tyre në rrugë duke shkaktuar 25.4% të aksidenteve totale.

Sjellja e drejtuesve të mjeteve vjen si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Për shkak të kësaj sjelljeje, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë penalizuar me heqje të lejes së drejtimit. Sipas të dhënave të DPSHTRR-së vetëm 113 drejtues nga 848 që i janë nënshtruar testimit teorik dhe praktik për rifitimin e pikëve kanë rezultuar fitues. Pra vetëm 13.3% e drejtuesve të mjeteve janë rikthyer në rrugë.

Në përfundim të analizës për periudhën Janar-Dhjetor 2023 numërohen 1.285 aksidente rrugore ose 10.3% krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë numri i të aksidentuarve ka ndjekur të njëjtën linjë pasi është rritur me 8.2% krahasuar me vitin e  mëparshëm duke e çuar kështu numrin e të aksidentuarve në 1,731 persona./tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne