Abbas: Autoriteti Palestinez do të rishqyrtojë lidhjet me SHBA-në pas vetos në OKB

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se Autoriteti Palestinez do të rishqyrtojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara pasi Uashingtoni vuri veton ndaj një kërkese palestineze për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara “në kundërshtim me të gjitha ligjet ndërkombëtare”. Uashingtoni bllokoi të enjten një projekt-rezolutë që i rekomandonte Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh që Shteti i Palestinës të pranohej si anëtar në OKB.

Presidenti palestinez e dënoi veton amerikane si “të padrejtë, joetike dhe të pajustifikuar”. Ai në një intervistë me agjencinë palestineze të lajmeve Wafa tha se ky veprim “përbën një agresion të hapur kundër të drejtave, historisë, tokës dhe shenjtërive të popullit palestinez”.

“Ndërsa bota bie dakord për zbatimin e ligjit ndërkombëtar dhe qëndron në krah të së drejtës palestineze, Amerika vazhdon të mbështesë okupimin, duke refuzuar të detyrojë Izraelin të ndalojë luftën e tij gjenocidale”, tha Abbas.

Udhëheqësi palestinez akuzoi gjithashtu Uashingtonin se “ka shkelur premtimet dhe angazhimet e tij duke qëndruar i heshtur ndaj vjedhjes së fondeve të Palestinës nga Izraeli”. Ai tha se Uashingtoni ka “shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare dhe ka braktisur të gjitha premtimet në lidhje me zgjidhjen me dy shtete dhe arritjen e paqes në rajon”./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne