ACROMAX – MASHTRIMI ME 7 SHKRONJA

LETËR E HAPUR PUBLIKE PËR:

PUBLIKUN E GJERË, MEDIAT, QEVERINË SHQIPTARE, TRUPIN DIPLOMATIK TË AKREDITUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, ZYRËN QENDRORE FEDERALE TË TAKSAVE NË REPUBLIKËN FEDERALE TË GJERMANISË

Për t’i treguar publikut të gjerë se si asgjësimi i një media, kur nuk e kontrollon apo manipulon dot, mbetet arma e fundit e një qeverie autoritariste dhe populiste.
Për t’i treguar medias vetë, se si “liria e medias” në Shqipëri ndodhet sot nën një sulm serioz teknologjik, ku forca “elektronike” e shtetit, ka gjetur shtigje të reja për t’u mbyllur gojën atyre. Ka gjetur Acromax-in.
Për t’i treguar trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, se si media në vendin tonë ndalohet apo pezullohet elektronikisht nën bekimin qeveritar dhe kjo është një arsye e mjaftë alarmi për ta, që të shohin bllokimin e rrugës drejt integrimit europian të vendit tonë, treguar më qartë me faktin tronditës se, këtë vit Shqipëria renditet e fundit në rajonin e Ballkanit për indeksin e lirisë së medias dhe në vendin e 107-të në botë.
Për t’i treguar autoriteteve të mbikëqyrjes financiare gjermane se si abuzojnë shtetasit gjermanë, biznesi gjerman (me logon Acromax Media), nën hundën e tyre monitoruese, po aq lehtë sa një biznes apo shtetas shqiptar në vendin tonë. Porse vendi yne nuk është ende shtet i integruar ekonomikisht në BE.
Kufizimi i hapësirës ndaj mendimit ndryshe në Shqipëri, jo vetëm është përkeqësuar drastikisht vitet e fundit, por Ata që nuk e duan median e lirë, si pushtet të katërt, po bëhen shumë kreativë për ta eliminuar përfundimisht atë. Si në rastin e portalit “NEWSBOMB”.

Shoqëria mediatike “NEWSBOMB” sh.p.k, krijuar në 10 dhjetor të vitit 2014, njihet gjerësisht në territorin kombëtar dhe atë ndërkombëtar për botimin e rregullt të një portali dhe reviste me të njëjtin emër, aktivitetet tipike gazetarie me mision të vetëm, informimin publik.

Shumë portale, faqe satirike, mediatike dhe platforma të informacionit që cenojnë apo kritikojnë qeverinë qëndrore, Bashkinë Tiranë dhe udhëheqësit e palëvduar në to, janë mbyllur, janë goditur me forma elektronike, ashtu si ndodhi së fundi me portalin “NEWSBOMB”.

Zëri i lirë i lajmit. Lajmi i drejtë, qoftë dhe shpotitës ndaj qeverisë dhe bashkisë, duhet të mbyllet, madje të asgjësohet, në Shqipërinë e lirisë “për mbytjen e medias”.

Portali “NEWSBOMB”, është goditur nga Acromax Media, duke u bllokuar apo zhdukur në të treja platformat ndërkombëtare të shpërndarjes së postimeve të tij, prej datës 29 Maj 2023. Si në rrjetin social “Instagram”, me 34 000 ndjekës, si në rrjetin social “Tik-Tok”, me 10.600 ndjekës, ashtu dhe në rrjetin social “Facebook”/Meta, me 220 000 ndjekës.

Drejtuesi i Acromax Media, Aldor Nini

Për mbylljen e platformave që përdor “NEWSBOMB”, në rrjetet si Facebook, Instagram, TIK-TOK, raportimi, pretendimi dhe kërkimi, është kryer nga Acromax Media, me arsyen e ndalimit të publikimit të lajmeve, se janë të publikuara “kundër rregullave të pronësisë intelektuale”.

Të gjitha mediat apo faqet e ngjashme mediatike si “NEWSBOMB”, janë goditur në të njëjtën mënyrë nga Acromax.

Çfarë është kjo logo goditëse e medias së lirë në Shqipëri?
Acromax Media Gmbh, është një kompani gjermane me adresë në Neuer Wall 63 20354 Hamburg (Deutschland), ku drejtor ekzekutiv sipas faqes zyrtare të saj, shfaqet emri Aldor Nini. Kompania ka kompetenca sipas deklarimit të aktivitetit në faqen e saj zyrtare:

– Të mbrojë të drejta ndaj palëve, nëse një faqe interneti (portal) shkel të drejtat e subjekteve të ndryshme, duke dërguar njoftime për heqjen e përmbajtjeve të padëshiruara nga i dëmtuari;

– Të mbrojë klientët nga përmbajtje publikimesh të padëshiruara sipas metodës së “skanimit automatik” dhe “manual”;

– Të mbrojë “markat dhe patentat” e klientëve duke dërguar njoftime kundër shkeljeve, që i bëhen atyre në platformat e shërbimeve elektronike të internetit, si Google, YouTube, Facebook, Instagram, Spotify, Apple, Deezer, Soundcloud, duke kërkuar dhe bllokimin e ofruesve të faqeve të paligjshme.

36 këngëtarë, grupe muzikore shqiptarë, 6 studio muzikore dhe 13 televizione (përfshirë dy TV kryesore kombëtare në Shqipëri), figurojnë të reklamuara në faqen zyrtare të kompanisë “Acromax Media” GmbH, si të kontraktuara prej saj.

Të gjithë këngëtarët dhe studiot muzikore dhe televizionet janë shqiptare, asnjë i huaj, ndërkohë që kompania “Acromax Media” GmbH, zhvillon aktivitetin e saj tregtar, në Hamburg (Gjermani) sipas ligjeve gjermane, dhe raportimit para Zyrës Qendrore Federale të Taksave/Bundeszentralamt für Steuern, të Republikës Federale të Gjermanisë.

Të gjithë këngëtarët, studiot dhe TV-të shqiptare kanë lidhur një “Kontratë mbi të drejtat e përdorimit” me “Acromax Media” GmbH, dygjuhëshe, gjermanisht dhe shqip.

A është një mashtrim që kompania “Acromax Media” Gmbh i ka bërë artistëve dhe medias shqiptare, duke u marrë para për “Mbrojtjen e markës” apo “Dërgimit të njoftimeve kundër shkeljeve” që pretendohen se kryhen në platforma elektronike?

Aldor Dorian Nini, shqiptari me shtetësi gjermane, në Shqipëri shfaqet si emigrant i huaj, e që autoritetet policore shqiptare e kanë lejuar të qëndrojë periodikisht me Leje qëndrimi në vendin tonë, ku për më shumë se 7 vjet ka kontaktuar, kontraktuar, apo mashtruar artistët shqiptarë, duke i premtuar “parajsën” e të drejtave të autorit, paçka se autori ose titullari i të drejtave të autorit në Shqipëri mbrohen fort nga ligji nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, një ligj i përafruar plotësisht me Direktivat e BE-së.

Në shtator 2022, në Shqipëri shqiptari “gjerman”, Aldor Nini, krijoi shoqërinë “Acromax” shpk, me NIPT M22128032O, ndërsa në Gjermani prej shumë vitesh shfaqet si përfaqësues/drejtues i “Acromax Media” Gmbh, identifikuar me VAT-ID: DE256031030, regjistruar nga Gjykata e Hamburgut me numër HRB 150385.

Ligji nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ka përcaktuar qartë se si mbrohet interesi legjitim i cenuar i autorëve shqiptarë ose të drejtat e tyre, ku përfshihen edhe të drejtat e ofruesve të shërbimit mediatik. Ky ligj ka krijuar edhe autoritetet që garantojnë interesat e artistëve dhe medias në territorin e Republikës së Shqipërisë, por dhe jashtë saj, siç janë: Drejtoria për të Drejtat e Autorit (DDA), Këshilli Kombëtar i të Drejtave të Autorit (KKDA) ose Agjencitë e Administrimit Kolektiv (AAK).

Asnjë nen i ligjit shqiptar nuk është përfillur, kur këngëtarët dhe studiot muzikore shqiptare, bashkë me Tv-mediat kryesore, janë kontraktuar nga “Acromax Media” Gmbh (Gjermani), por që në të vërtetë aktiviteti “antimediatik” është zhvilluar në Tiranë (Shqipëri).

Jo më larg se 50 metra ajër nga Godina Kryeqeveritare dhe 200 metra larg nga ajo Kryebashkiake gjendet, gjirizi i sulmit ndaj shtypit të lirë. Zyrat e “Acromax” shpk, si një fasoneri ilegale në kërthizë të Bulevardit të Tiranës, me 22 vajza të reja, godasin “fjalën e lirë” në Shqipëri, nën petkun e “Acromax Media” gjermane. Nga kjo fasoneri, brenda një apartamenti modest, dërgohen “Strike”-t, “Report”-et, “Claim”-et në Google, YouTube, Facebook, Instagram, TIK-TOK, për mbylljen e platformave që shpërfaqin të vërteta anti-qeveritare apo anti-pushtet.

Porositë e zëdhënësve janë “buka” e përditshme që piqet në zyrat e fasonerisë “Acromax”. Porositë dhe paratë paguhen në Tiranë, mashtrimi financiar bëhet në Gjermani dhe Shqipëri. Acromax Media Gmbh (Hamburg /Germany), Acromax shpk (Tiranë/Shqipëri), Aldor Nini, Qeveria dhe Bashkia janë 1.

Së bashku, janë përgjegjës direkt për mbylljen teknologjike të portalit “NEWSBOMB”, ashtu sikur të shumë zërave të tjerë mediatikë, vitet e fundit, sa herë kritikohet ose demaskohet Pushteti, apo Erion Veliaj.

Fasoneria “Acromax” merr porosi të mbyllë e mbysë zërin e lirë të medias në Shqipëri, ndërsa Makineria gjigande elektronike e Google, YouTube, apo Facebook, nuk e di këtë të vërtetë që po ndodh në Shqipëri dhe i beson qorrazi reporte-ve të Qeverisë apo strike-ve të Bashkisë.

Pushteti në Shqipëri ka ngritur një fasadë të legjitimitetit elektoral, duke zhdukur opozitarizmin mediatik, për pasojë edhe atë politik, me metodën teknologjike “Acromax”.

Shoqëria jonë “demokratike” po atrofizohet nga mungesa e raportimit të drejtë mediatik. Liria e shtypit në Shqipëri po kërkohet të kontrollohet nga një logo e regjistruar në Gjermani, Acromax. Profesionistët e medias dhe ndikuesit opozitarë në mediat sociale, po kërkohen të vriten ose “reshtohen” kah pushtetit, me “armën” Acromax.

Ky nuk është alarm për “NEWSBOMB”, thjesht për një portal, por për të gjithë median bashkë. Për artistët, këngëtarët, autorët, studiot muzikore, televizionet tona. Ky është një alarm për ndërkombëtarët perëndimorë që lexojnë shtypin elektronik në Shqipëri, nëpërmjet lirisë që përcakton pushteti & bashkia për të.

Liria e shtypit është thelbësore në një demokraci, por ky nuk mund të jetë vetëm një leksion i bukur, që vjen nga Gjermania. Liria e medias është sulmuar rëndë nga Acromax-i gjerman, ndaj dhe është më urgjente se kurrë më parë që ky shtet model të na tregojë se si e mbron dhe garanton shtypin e lirë në një demokraci të brishtë si e jona.

Zyra Qendrore Federale e Taksave (Bundeszentralamt für Steuern), si autoriteti më i lartë federal në Ministrinë Federale të Financave të Gjermanisë, që kryen detyra të shumta me dimension kombëtar dhe ndërkombëtar, duhet të na tregojë nëse “Acromax” është shpëtimi apo mashtrimi me 7 shkronja i artistëve dhe medias shqiptare.

Është çasti që qeveria dhe bashkia jonë të distancohen ose të bëhen barrikadë mbrojtëse e Acromax-it shqiptar.

Është çasti që të gjitha mediat në Shqipëri të bëhen bashkë, nuk ka rëndësi sa duhen e sa urrehen. Nuk ka rëndësi kush është “NEWSBOMB” dhe pronarja e saj. Armikun e përbashkët e kanë të gjithë tek dera, 50 metra afër qeverisë dhe 200 metra larg bashkisë. Ai quhet Acromax! /Newsbomb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne