Altun: Izraeli përhap lajme të rreme për të fshehur gjenocidin në Gaza

Drejtori i Komunikimeve i Presidencës së Turqise, Fahrettin Altun, tha se fushatat sistematike të dezinformimit të Izraelit për të mbuluar “masakrat brutale” të tij në Gaza duhet të përballen me përpjekje të bashkërenduara për t’iu kundërvënë atyre fushatave.

“Në një përpjekje për të fshehur mizoritë dhe masakrat që arrijnë nivelin e gjenocidit, Izraeli ka fabrikuar sistematikisht lajme mashtruese dhe dezinformata, duke punuar për t’i shpërndarë ato”, tha Altun në Forumin e shtatë vjetor të TRT World, ngjarje e cila mbahet në Istanbul.

Për të parandaluar përdorimin e dezinformimit si një instrument “helmues” në betejat globale dhe rajonale për pushtet, Altun theksoi se komunikimi strategjik është i domosdoshëm.

Ai theksoi përpjekjet e Qendrës së Türkiyes për Luftimin e Dezinformimit për të ndihmuar në zbulimin e gënjeshtrave të shpërndara nga Tel Avivi. “Ne ekspozuam qindra gënjeshtra nga Izraeli”, tha ai, duke shtuar se “çdo ekspozim thellonte krizën e legjitimitetit me të cilën përballet Izraeli”.

Duke folur më tej rreth bashkëpunimit ndërkombëtar të Turqise, veçanërisht nën Organizatën e Bashkëpunimit Islam dhe Këshillin Turk, ai theksoi përpjekjet në edukimin rreth mediave sociale dhe punën individuale për të luftuar dezinformimin.

“Në krizat e fundit, duke përfshirë pandeminë globale, luftën e Karabakut, konfliktin Rusi-Ukrainë dhe veprimet e Izraelit në Gaza, ne kemi parë se komunikimi strategjik mund të frenojë helmin e dezinformatave në betejat globale dhe rajonale për pushtet”, tha ai.

Teksa mbahet Forumi Botëror i TRT-së, pjesëmarrësit nga Turqia dhe e gjithë bota pritet të përfshihen në diskutime gjithëpërfshirëse mbi tema të ndryshme, duke pasqyruar temën e ngjarjes “Të lulëzojmë së bashku: Përgjegjësitë, veprimet dhe zgjidhjet”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne