Ambasadori francez në OKB: Lufta në Gaza “nuk është fatkeqësi natyrore, duhet të ndalet tani”

Ambasadori i Francës në OKB, Nicolas de Riviere, tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të marrë përgjegjësinë për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. “Këtu nuk bëhet fjalë për një fatkeqësi natyrore. Kjo është një luftë dhe duhet të ndalet tani. Këshilli i Sigurimit nuk mund të vazhdojë me zvarritjet. Ne duhet të ndërmarrim veprime tani”, u tha ambasadori francez gazetarëve në New York.

De Riviere gjithashtu tha se ekziston një urgjencë për të arritur një armëpushim të menjëhershëm gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, për të siguruar lirimin e pengjeve dhe për siguruar qasje të plotë humanitare. “Pra, kjo është ajo që Këshilli i Sigurimit duhet të bëjë tani, jo javën e ardhshme. Unë po flas për 24, 48 orët e ardhshme. Nuk ka asnjë arsye për të zvarritur më tej. Asnjë arsye”, shtoi ai.

Ambasadori tha gjithashtu se Këshilli ka qenë në gjendje të miratojë vetëm dy rezoluta humanitare, “të cilat, meqë ra fjala, nuk janë zbatuar”. “Ky Këshill duhet të bëjë më shumë, ta bëjë tani dhe të marrë përgjegjësinë e tij. Nuk mund të presë më”, shtoi ai. Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023. Që atëherë, në Gaza janë vrarë më shumë se 31.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 73.800 të tjerë janë plagosur.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka zhvendosur 85 për qind të popullsisë së Gazës, mes një bllokade shkatërruese të produkteve ushqimore, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne