AMBIENTI I DHUNËS DHE PENGMARRJA E LIRISË NGA DREJTËSIA E DËSHTUAR

Milazim Krasniqi 

Dhuna që shpërtheu në Kosovën e lirë në vitin 2000, ka qenë temë komentimi në këtë tekst. Edhe pas 26 vitesh, disa indikacione të atëhershme për atë dhunë, mbeten të vlefshme. Fatkeqësia është që drejtësia ka dështuar tërësisht. Dështimi i drejtësisë e ka mbajtur dhe paradoksalisht po e mban ende peng një pjesë të politikës. Ai qëllim ka qenë që nga fillimi. (13 shkurt 2026)
Leximi i mbrapshtive
Kush e kafshon me kaq lehtësi grepin
Strategët e krijimit të ambientit të dhunës, mund të jenë të sigurt se me një plumb i kanë vrarë dy zogjç e para, e kanë zëvendësuar triumfalizmin shqiptar me një frikë dhe ankth permanent, kur e kur me një dëshpërim edhe në vetë lirinë, (!) dhe e dyta, e kanë bërë “adresë të sigurt” për çdo akt dhune, pikërisht faktorin çlirimtar, i cili kur ka pasur ndikim, (fill pas çlirimit dhe deri ne shuarjen e Qeverisë së Përkohshme), nuk ka lejuar asnjë akt dhune.

Krijimi i ambientit të dhunës me anën e altoparlantëve propagandistik dhe stimulimi i përjetimit psikologjik, sipas të cilit dhuna në tokën e çliruar të Kosovës, është bërë gjithëpërfshirëse dhe e gjithpushtetshme, dhe veçan e motivuar politikisht, ka qenë si një parathënie për të hyrë sa më “logjikisht” në botën e dhunës faktike. Javët e kaluara kanë qenë të mbarsura me dhunë faktike ndaj jetës së disa njerëzve, gjë që e ka argumentuar funksionimin e ambientit të dhunës, të sajuar më herët. Në tërë këtë mes, vrasja e avokatit dhe politikanit Shaban Manaj, ka qenë pika më e llahtarshme e dhunës, e cila me makabritetin e saj, i ka thyer edhe kodet antike dhe kanunore për vrasjen. Masakrimi i trupit të pajetë të tij, është një mesazh mizor, për të rrënjosur sa më fort në mendjet e njerëzve ambientin e dhunës dhe të pasigurisë totale.Dhe fatkeqësisht, është rrënjosur edhe më fort se përpara, përjetimi i njerëzve për dhunën si gjithëprezente.

Qenë harruar hasmëritë e vjetra dhe paragjykimet e reja

Madje as zbulimi i të dhënave sipas të cilave, disa nga personat që kanë qenë të sulmuar, nuk kanë qenë aktivistë politikë, nuk arriti ta shqyejë perden e tymit, që ka mbuluar pamjen reale të gjërave. Fjala vjen, edhe pse vetë Dega e LDK-së në Pejë doli me demantin sipas të cilit personi i plagosur në Nabërgjan të Pejës, nuk ka qenë funksionar local i LDK-së, mbeti shija e hidhur për “dhunën politike” ndaj tij. Po ashtu, personi që ka qenë objekt sulmi në Abri të Epërme, vetë ka thënë se nuk është anëtar i LDK-së, por prapë mbeti hija e dyshimit. Më tutje, u provua nga policia e UNMIK-ut, se shpërthimi në shtëpinë e një familjeje në Dragash nuk ishte i motivuar politikisht. Ndërsa, plagosja e dy politikanëve lokalë të LDK-së, (në Podujevë dhe në Skënderaj), mbeti e pasqaruar nga aspekti i organeve kompetente, si edhe shumica e rasteve të incidenteve dhe të dhunës. Por, të gjitha këto së bashku, e kanë ntrashur përjetimin e një pasigurie dhe të spekulimeve të llojllojshme lidhur me pistat e mundshme të kryesve të akteve të dhnës, duke u bërë segment i garës së pandershme politike.
Nuk ka ndodhur para shumë deceniesh, po vetëm para një viti çlirimi i këtij vendi nga pushtuesi serb. Zbritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga istikamet dhe malet, dalja e asaj pjese të popullsisë që kishte mbetur në Kosovë, nga honet dhe nga bodrumet, si dhe kthimi masovik i rreth një milion shqiptarëve, që ishin dëbuar nga vatrat e veta, ishte akti i fitores së përbashkët të shqiptarëve dhe të aleatëve në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe. Ky kthim u shndërrua në një festë të papërshkuar gëzimi dhe lotësh. U manifestua një unitet i jashtëzakonshëm i popullit dhe i ushtrisë së tij, e cila kishte përballuar me një guxim të rrallë egërsinë e forcave terroriste të shtetit agresor. Në muajt korrik e gusht, Prishtina dhe qytetet e tjera të Kosovës, qenë kthyer në qytete ku festohej pambaim, ku njerëzit përqafonin njëri-tjetrin me një ndjenjë vëllazërore, ku ishin shkrirë e harruar edhe hasmëritë e vjetra edhe paragykimet politike. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të gjithë nën armë, sepse procesi i demilitarizimit ishte ndarë në disa etapa. Policia e UNMIK-ut ishte e papërfilshme, si në numër si në organizim. E pra, në atë ambient, nuk ndodhën akte dhune politike, askujt nuk i mungoi as qimja e flokut si thuhet. Nuk duhet harruar kurrsesi, se shkaqet për dhunë politike objektivisht ishin shumë më të mëdha se sot, sepse Kosova kishte pasur fatin e keq, të servirur nga politikanët e saj të papërgjegjshëm, të cilët kishin bërë që çlirimi i vendit ta gjente me dy qeveri. Poashtu, vlerësimet publike për rolin e UÇK-së, ishin të ndryshme, prej atyre që e glorifikonin e deri te ato që pothuaj e mohonin tërësisht, duke ndarë vetëm ndonjë brigadë, ose ndonjë dëshmor. Por, edhe në atë ambient të konfuzionit dhe të mungesës së pushtetit efektiv, dhunë politike nuk pati. Prej nga mbiu si fantazmë dhuna, dhe atë një njëvjetorin e çlirimit të vendit?

A është më i afërt bashkëpartiaku apo kushëriri

Në fakt, kthesa negative filloi të ndodhte vitin e kaluar, fill pas kemtimt të 28 nëntorit, që ishte një manfestim i triumfalizmit të shqiptarëve, i bërë me mjete jo krejt festive. Të shtëna të pakontroluara, marshuta me makina, brohoritje të pakontrolluara, ishin pjesa praktikisht e dhunshme e atij kremtimi. Vrasja e një civili serb në Prishtinë ishte pika që e derdh tërë kupën dhe e tronditi raportin e deriatëhershëm tolerant të faktorëve ndërkombëtar të sigurisë në Kosovë, (po të lëmë mënjanë incidentin e 2 korrikut).
Në ditët që pasuan u krijua ambienti i anarkisë, me përpjekje kidnapimesh dhe terrorizimi të njerëzve, nga persona dhe grupe që mbeten të errëta si errësira e natës, nëpër të cilën e inskenonin lojën e anarkisë. Sot mund të thuhet me siguri se e tëra u shfrytëzua për ngulfatjen e institucioneve, në rend të parë ë Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, përkatësisht për krijimin e rrethanave për shuarjen e tyre. Pas marrëveshjes së 15 dhjetorit 1999, të gjitha kompoetencat e sigurisë, edhe funksionalisht, u gjendën ekskluzivisht në duart e administratës civile ndërkombëtare dhe të KFOR-it.
Në dorë të shqiptarëve përkatësisht të partive politike shqiptare, pati mbetur dhe është edhe sot, puna për të krijuar një ambient tolerant dhe të respektit të ndërsjellë, të bashkëpunimit për çështjet me interes madhor dhe të kontributit për efikasitetin e administratës civile ndërkombëtare. Mirëpo, këto punë nuk janë nisur e lëre më përmbaruar, ngase në shumë segmente ka dominuar bllokimi, përjashtimi dhe injorimi i partnerëve. Kjo kohë nuk është shfrytëzuar madje as për një vlerësim të themeltë politik të periudhës që ka mbetur pas, duke përfshirë rolin që kanë luajtur faktorët politik dhe ushtarak në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe të çlirimt të vendit. Përkundrazi, nga disa aktivistë lokalë, ka ndodhur që edhe kontestet fisnore, të ambalazhohen si konflikte të motivuara politikisht, duke e ngarkuar ambientin jetësor dhe politik. Kush mund të argumentojë me fakte se qenkësh më i afërt bashkëpartiaku se kushëriri, ta zëmë? Por, këto deformitete po i imponohen ambientit jetësor dhe politik, sepse disa krerë politikë e kanë gjetur formulën e riciklimit në politikë, me anën e inskenimit të konflikteve dhe të aktrimit të rolit të viktimës. Kjo shemë është e njohur nga dhjetë vjetët e kaluar ë okupim, ku është krijuar diskursi dhe sjellja vajtuese, për t’iu dhimbsur botës, për shkak të terrorit srb që ushtrohej mbi popullin shqiptar. Por, sot kjo nuk është rruga për të ndërtuar të ardhmen. Për më tepër, ka jo pak raste, kur “viktimat” bëjnë sulme ordinere, kundër bartësve të pjesës më të lavdishme të historisë sonë ë të re. Është eklatant rasti i një kryetari të një dege të në partie, i cili në në radio lokale, ka thënë se anëtarët e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së duhet të dërgohen në Hagë si kriminelë! Këto fjalë nuk i janë thënë në vesh dikujt, por janë thënë dhe janë transmetuar publikisht. Dihet saktësisht se kush ka mendim të tillë për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, (shumica prej tyre edhe i kanë aktakuzat të ngritura në Serbi si terroristë(!), por ata që duan tolerancë, bashkëpunim, respekt të ndërsjellë, ambient demokratik, fjalë të tilla nuk thonë.
Strategët e krijimit të ambientit të dhunës, mund të jenë të sigurt se me një plumb i kanë vrarë dy zogj: e para, e kanë zëvendësuar triumfalizmin shqiptar me një frikë dhe ankth permanent, kur e kur me një dëshpërim edhe në vetë lirinë, (!) dhe e dyta, e kanë bërë “adresë të sigurt” për çdo akt dhune, pikërisht faktorin çlirimtar, i cili kur ka pasur ndikim, (fill pas çlirimit dhe deri ne shuarjen e Qeverisë së Përkohshme), nuk ka lejuar asnjë akt dhune. Ata së paku nuk kanë faj që ne jemi të prirur për të kafshuar grepin. (Kosova Sot, 16 gusht 2000)/fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne