Antiterrori dështon të dënojë Baki Goxhajn për Izraelin, shqiptarët e degjenerojnë me komente Policinë e Alban Dautajt

Baki Goxhaj, aktivist dhe programues nga Vlora, ka bërë publik një denoncim në rrjetet e tij sociale, ku shprehet se është kallëzuar nga Drejtoria e Antiterrorit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për veprën penale “Nxitje e urrejtjes dhe grindjes”, për shkak të qëndrimeve dhe postimeve të tij në rrjetet sociale lidhur me Izraelin, Palestinën dhe figura publike në Shqipëri.

Sipas Goxhajt, procedimi penal lidhej me disa postime ku ai ka denoncuar politikanë shqiptarë dhe mbështetës të Izraelit që ndodhen në parlament, gazetarë që sipas tij janë pjesë e një makinerie propagandistike, si edhe një reagim ndaj shkrimtarit Ben Blushi për përdorimin e termit “islamik” në vend të atij “mysliman”, të cilin e ka cilësuar si denigrues. Aktivisti thekson se monitorimi i rrjeteve të tij sociale ka nisur vetëm pasi ai ka bërë një kallëzim penal ndaj krye-rabinit Yoel Kaplan, të cilin në postimet e tij e cilëson si “kriminel lufte”.

Në akt-akuze thuhej se nga këqyrja e të dhënave në internet rezulton se në profilin e tij, ku ai prezantohet si programues dhe aktivist dhe shpreh hapur mbështetje për Palestinën, janë publikuar një sërë postimesh dhe komentesh gjatë periudhës tetor–dhjetor 2025 me përmbajtje polemike, nxitëse dhe denigruese, të lidhura me çështje fetare, politike dhe ndërkombëtare. Megjithatë, çështja nuk ka kaluar për gjykim, pasi prokurorja e çështjes, Alba Meta, ka vendosur pushimin e procedimit penal me argumentin se mungojnë elementët e veprës penale.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shpërthyer me komente kundër Drejtorisë së Antiterrorit dhe Policisë së Shtetit, duke e akuzuar institucionin për përpjekje për të frikësuar dhe heshtur zërat kritikë. Në komentet e publikuara lexohet se “Antiterrori është vegël antishqiptare”, se institucionet po përdoren si instrument politik, ndërsa të tjerë shkruajnë “Free Palestina” dhe shprehin indinjatë për viktimat civile në Gaza, veçanërisht fëmijët. Disa komentues vënë në pikëpyetje praninë dhe ndikimin e figurave fetare të huaja në Shqipëri, ndërsa të tjerë sulmojnë drejtuesit e policisë, duke i lidhur me qeverinë dhe interesat politike.

E gjithë ngjarja ka hapur një debat të gjerë publik mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe rolin e Drejtorisë së Antiterrorit, me shumë qytetarë që e shohin këtë rast si një përpjekje për kriminalizimin e qëndrimeve politike dhe jo si një veprim real në funksion të sigurisë kombëtare./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne