Arabia Saudite i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara se nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike me Izraelin nëse nuk njihet një shtet i pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, që përfshijnë Jeruzalemin Lindor dhe ndalohet “agresioni” izraelit në Rripin e Gazës, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme saudite të publikuar të mërkurën.
Të martën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha se administrata e Presidentit Biden ka marrë reagime pozitive se Arabia Saudite dhe Izraeli janë të gatshëm të vazhdojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve. Mbretëria e Arabisë Saudite e lëshoi deklaratën për të pohuar qëndrimin e saj të palëkundur ndaj Uashingtonit për çështjen palestineze nën dritën e komenteve që i atribuohen zotit Kirby, tha ministria saudite.