Venezuela dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje për eksportimin e naftës bruto me vlerë deri në 2 miliardë dollarë drejt tregut amerikan. Marrëveshja vjen vetëm pak ditë pas operacionit ushtarak në Venezuelë që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, duke reflektuar qartë ambiciet e Presidentit amerikan Donald Trump për kontroll më të madh mbi industrinë energjetike të vendit latino-amerikan.
Trump kërkon akses të plotë në industrinë e naftës
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se administrata e përkohshme venezueliane duhet t’u japë kompanive amerikane dhe private “akses të plotë” në industrinë e naftës, duke paralajmëruar përndryshe ndërhyrje të mëtejshme. Ai ka pohuar se Venezuela do të furnizojë SHBA-në me 30 deri në 50 milionë fuçi naftë, ndërsa të ardhurat do të administrohen nga Uashingtoni. “Kjo naftë do të shitet me çmimin e tregut dhe fondet do të kontrollohen nga unë për të garantuar që të përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara,” shkroi Trump në platformën Truth Social.
Marrëveshja po zbatohet nga Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ndërsa nafta do të transportohet direkt nga cisternat drejt porteve amerikane. Dy burime të Reuters konfirmojnë se furnizimet fillestare për SHBA-në do të vijnë nga ngarkesa të ridrejtuara që ishin planifikuar për tregun kinez. “Trump dëshiron që kjo të ndodhë sa më shpejt për ta paraqitur si një fitore të madhe,” citohet të ketë thënë një burim nga industria e naftës. Aktualisht, eksportet e naftës venezueliane drejt SHBA-së kontrollohen nga kompania amerikane Chevron, partner kryesor i sipërmarrjeve të përbashkëta me kompaninë shtetërore PDVSA. Chevron eksporton rreth 100 mijë deri në 150 mijë fuçi naftë në ditë dhe ka qenë e vetmja kompani që ka vijuar transportin pa ndërprerje javët e fundit.

















