Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha si duket po qëndron në të njëjtën linjë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ditë më parë firmosi urdhrin se do të njihen dy gjini, mashkull dhe femër.
Këtë të mërkurë lideri i demokratëve në një konferencë për mediat bëri me dije se forca politike që ai drejton ka përgatitur dhe do të dorëzojë ligjin ku theksohet se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini.
“Ne kemi përgatitur një ligj që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje”, tha Berisha, teksa më tej tha se do të dënohen të gjithë ata që flasin për “Prindin 1” dhe “Prindin 2”.
“Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione. Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, uoke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime. Lufta me kulturën uoke do jetë një betejë pa kompromis e jona. Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim. Gjërat siç janë”, tha ai. /BoldNews