Blinken në Izrael me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të konfliktit

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken mbërriti në Izrael të hënën, në një vizitë që ka për qëllim përpjekjet për parandalimin e përshkallëzimit të luftës së Gazës në një konflikt më të gjerë rajonal. Blinken pritet të takohet me presidentin izraelit Isaac Herzog, me homologun e tij Israel Katz dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu. Ai gjithashtu do të zhvillojë takim me familjet e pengjeve izraelite në Gaza dhe liderin e opozitës Yair Lapid.

Blinken pritet të diskutojë me zyrtarët izraelitë hapat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm me Hezbollahun pas vrasjes së fundit të zëvendës-shefit të Hamasit, Saleh al-Arouri dhe komandantit të lartë ushtarak të Hezbollahut, Wissam al-Tawil. Ai do t’i kërkojë Izraelit të ul numrin e viktimave në Gaza, të rrisë ndihmën humanitare në Gaza dhe të sigurojë që palestinezët të mos zhvendosen me forcë nga enklava.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 23.084 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 58.926 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Rreth 85 për qind e banorëve të Gazës janë zhvendosur, ndërsa të gjithë janë të prekur nga pasiguria ushqimore, sipas OKB-së. Qindra mijëra njerëz jetojnë pa strehë, ndërsa më pak se gjysma e kamionëve me ndihma po hyjnë në territor sesa përpara fillimit të konfliktit. Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë sipas shifrave zyrtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne