Blinken: Propozimi i Bidenit, rruga më e shpejtë për arritjen e armëpushimit në Gaza

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken tha se drafti i paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden për armëpushim në Rripin e Gazës është rruga më e shpejtë për të arritur armëpushim në Gaza. Duke folur për kanalin Al Jazeera të Katarit, Blinken tha se propozimi i Bidenit mori mbështetje nga Kombet e Bashkuara (OKB), Liga Arabe, administrata palestineze dhe të gjitha vendet në rajon, përfshirë Izraelin, por Hamasi vonoi të jepte përgjigjen e tij dhe përgjigjja nuk ishte në përputhje me miratimin e shprehur nga palët e tjera.

Blinken pretendon se Hamasi duke konsideruar se “disa dispozita janë të zbatueshme dhe disa jo” është përpjekur të ndryshojë disa nga dispozitat e propozimit “të pranuara më parë”. Duke shmangur hyrjen në detaje të propozimit, Blinken theksoi se ai “nuk sheh asnjë arsye” që propozimi të mos zbatohet. “Propozimi i Bidenit është rruga më e shpejtë dhe më efektive për të arritur armëpushim në Gaza”, tha ai.

Blinken tha se pikat më të rëndësishme të propozimit janë armëpushimi i menjëhershëm në Gaza, tërheqja e forcave izraelite nga zonat e banuara në Gaza dhe rritja e ndihmës humanitare për Gazën. Pasi deklaroi se mbështetja e Washingtonit, Katarit dhe Egjiptit për propozimin aktual “përfaqëson garancinë më të mirë që do t’u japë besim të dyja palëve”, Blinken shtoi se mbështetja e gjerë e dhënë ndaj propozimit “pasqyron vendosmërinë e të gjithë botës për t’i dhënë fund luftës”.

Në konferencën për media në Shtëpinë e Bardhë më 31 maj, Biden njoftoi se Izraeli kishte bërë një propozim të ri në lidhje me armëpushimin dhe të burgosurit në Gaza. Hamasi njoftoi se ia kishte përcjellë Egjiptit dhe Katarit përgjigjen e tij lidhur me propozimin e Izraelit për armëpushim në Rripin e Gazës që u njoftua nga Bideni. Në përgjigjen e tij ndaj planit të armëpushimit, Hamasi deklaroi se i jepte përparësi përfundimit të sulmeve të Izraelit dhe pushtimit të Gazës dhe se ka “treguar qasje pozitive ndaj marrëveshjes që do t’i japë fund luftës”.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani kanë humbur jetën 37.202 palestinezë, përfshirë të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa janë plagosur edhe 84.932 persona të tjerë. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne