Bregu Perëndimor, vriten nga forcat izraelite dy palestinezë dhe plagosen disa të tjerë

Ushtria izraelite vrau dy palestinezë dhe plagosi tre palestinezë të tjerë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj dy palestinezëve pranë qytezës Tulkerem në veri të Bregut Perëndimor.

Thuhet se ushtarët izraelitë nuk lejuan ndërhyrjen tek palestinezët për të ofruar ndihmën e parë.

Në njoftimin nga Ministria palestineze e Shëndetësisë thuhet se kanë humbur jetën 23-vjeçari Abdurrahman Faris Muhammed Ata dhe 27-vjeçari Huzeyfe Admam Muhammed Faris, të cilët u sulmuan nga ushtarët izraelitë.

Në deklaratën e lëshuar nga ushtria izraelite theksohet se dy persona të armatosur, të cilët dyshohet se kanë hapur zjarr më parë ndaj një automjeti ushtarak, janë qëlluar pranë fshatit Shufe në Tulkerem.

Nga ana tjetër, dëshmitarët okularë raportuan se një kamp refugjatësh në Tulkerem u bastis nga ushtria izraelite, u dëgjuan të shtëna armësh dhe ushtarët izraelitë u tërhoqën nga kampi pas ngjarjeve që zgjatën rreth një orë.

– Tre palestinezë të plagosur në sulmin izraelit në Nablus

Gjithashtu u tha se ushtria izraelite bastisi kampin e refugjatëve Balata në lindje të Nablusit, të shoqëruar nga një buldozer, për të mundësuar hyrjen e kolonëve hebrenj në “Varrin e Jusufit”.

Sipas dëshmitarëve okularë, mes banorëve palestinezë dhe ushtarëve izraelitë shpërthyen incidente të cilët reaguan ndaj bastisjes. Të rinjtë palestinezë u përpoqën të bllokonin rrugët për të parandaluar hyrjen e automjeteve ushtarake në rajon, duke hedhur gurë dhe koktej molotovi.

Ushtarët izraelitë përdorën plumba të vërtetë, si dhe plumba gome dhe bomba gazi, në ndërhyrjen kundër palestinezëve.

Në deklaratën me shkrim të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze theksohet se tre palestinezë janë plagosur nga plumbat e vërtetë gjatë ngjarjeve në lindje të Nablusit.

– “Varri i Jusufit”

“Varri i Jusufit”, i vendosur në lindje të Nablusit, konsiderohet një vend i shenjtë nga hebrenjtë. Hebrenjtë besojnë se eshtrat e Profetit Jozef u sollën nga Egjipti dhe u varrosën këtu.

Ekspertët palestinezë të artefakteve historike deklarojnë se varri ka një histori disa shekullore dhe se nuk i përket profetit Jozef, por një dijetari musliman të quajtur Jusuf Duveykat./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne