CENSUSI’ 2023 – PSE PYETJET PËR “ETNINË”, “GJUHËN” DHE “FENË” U DASHKA TË JENË “OPSIONALE”?

Nga: Salim Kadri Kerimi, Shkup, Historjan – Diplomat në pension

 

Këto ditë kisha rastin ta ndëgjoj një intervistë të drejtoreshës të INSTAT të Republikës së Shqipërisë, Zonjës Elsa Dhuli, dhe më pas ta lexoj “LIGJIN Nr.140/2020 PËR CENSIN E POPULLSISË DHE TË BANESAVE”. U habita pa masë kur e ndëgjova/ e lexova “lajmin” se vetëm tre, nga gjithsej rreth 100 pyetjet e Pyetsorit të Censit’ 2023, do të qenkan të kategorisë “Opsionale”, pra “Jo të detyrueshme” dhe “Të padënueshme”, në rastet e mospërgjigjes së tyre. Ja, se çthuhet në pikën 2, të Nenit 4, të Ligjit në fjalë:

2. Pyetësori i censit përmban edhe pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen në të drejtën e vetidentifikimit të individit. Këto pyetje përmbajnë për të anketuarin alternativën për t’iu përgjigjur Unë preferoj të mos përgjigjem”.

Duke gjyrmuarë për arsyet e mundëshme të një kategorizimi të këtillë të pyetjeve shumë të rëndësishme, siç janë pyetjet për “Etninë”, “Gjuhën” dhe “Fenë”, dhe duke gjykuarë me “mëntë në kokë” erdha në përfundim se, institucionet relevante të Republikës së Shqipërisë, për fat të keq, në prag të fillimit të negociatave për antarsim në UE, edhe nuk kanë mundur të marin guxim për krijimin e kushteve përkatëse për “zbulimin” e shifrave përafërsisht të vërteta të pjesëtarëve të minoriteteve, që me shekuj jetojnë në Shqipëri.

Unë si dëshmitar okular/ pjesëmarës i takimeve të shumta mes funksionarëve të niveleve të ndryshme, përfshirë edhe të nivelit më të lartë, të Maqedonisë dhe Shqipërisë, në periudhën nga viti 1979 dhe gjer në fund të vitit 1998, si dhe si studijues dhe njohës modest i çështjes të minoritarëve maqedonas në Shqipri, kësaj rradhe do të mundohem ti sqaroj, vetëm qasjen dhe të dhënat statistikore, rreth numrit të përgjithshëm të përafërt të pjesëtarëve të minoritetit maqedonas, që gjatë periudhës komusiste dhe më pas, në mënyrë zyrtare janë të prezantuara nga institucione dhe zyrtarët e RPS të Shqipërisë. Shkurt thënë, qasja e tyre dhe të dhënat statistikore të prezantuara kanë qenë/ janë të gabuara, jo të drejta/ jo të sakta. Kjo, mes tjerash, për vet faktin se, për shembull, të dhënat zyrtare statistikore rreth numrit të minoritarëve maqedonas, duke filluarë nga viti 1945 dhe gjer më 2011, kanë qenë/ janë jokonzistente. Me fjalë të tjera, si ka qenë e mundur që në Regjistrimin e viti 1945 numri i minoritarëve në fjalë të ketë qenë 14.400 frymë (1.3% nga numri i përgjithshëm i banorëve të RP të Shqipërisë të asaj kohe) dhe në regjistrimet e viteve në vijim të paksohet në: 2.273 frymë – 0.2% (në 1950), 3.341 frymë – 0.2% (në 1955); 4.235 frymë – 0.3% (në 1960), 4.097 frymë – 0.2% (në 1979) dhe 4.697 frymë – 0.15% (në 1989)?

Për fat të keq, gjendja rreth kësaj çështjeje aspak nuk ka ndryshuar/ ka mbetur e njëjtë edhe pas rëzimit të sistemit komunist, kështu që në Regjistrimin e vitit 2011, kur në gjith teritorin e Shqipërisi si maqedonas qenkan deklaruar vetëm 5.512 frymë. Se kjo shifër, për numrin e minoritarëve maqedonas në Shqipëri, është jo reale, mes tjerash, vërtetohet edhe me të dhënat që janë të prezantuara në Faqen zyrtare të Bashkisë së Pustecit (Liqenasit), në të cilën është i publikuarë informacioni se vetëm në nëntë fshatrat e Bashkisë në fjalë, sipas të dhënave statistikore të viti 2011, si maqedonas qenkan deklaruarë 3.290 frymë, kurse sipas të dhënave zyrtare, të prezantuara në “Regjistrin Civil”, numri i tyre qenka 5.345 frymë.

Unë, deri diku, i “kuptoj” sjelljet arbitrare të shokut Enver (Hoxha), i cili, siç dihet, qëndrimet e tij, rreth çështjeve të njëjta, i ndryshonte brenda natës, mirpo as sesi nuk mund ta kuptoj qasjen e institucioneve të Shqipërisë në ditët e sotme rreth çështjes në fjalë. Me fjalë të tjera, unë nuk e kuptoj dot dhe as që e shoh të udhës, 32 vjet pas shkëputjes nga sistemi jodemokratik – komunist, udhëheqsit e Republikës së Shqipërisë edhe të mos mund të shkëputen dot nga  qëndrimi i pakuptimtë i regjimit të mëpërparmë komunist, për moslejimin e “zbulimit” të numrit të përafërt të përgjithshëm, konkretisht të pjesëtarëve të minoritetit maqedonas, të cilët janë të pranishëm në krahina dhe vendbanime të ndryshme të vendit, dhe jo vetëm në nëntë fshatrat e Bashkisë së Pustecit, siç decenje me rradhë mundohen të na bindin autoritet të ndryshëm të Republikës së Shqipërisë.

Çfar arsyetimi tjetër mund të ketë vendimi i institucioneve relevante të Shqipërisë për kategorizimin e tre pyetjeve në fjalë (për “Etninë”, “Gjuhën”, dhe “Fenë”) si “Opcionale”? Pse autoritetet shqiptare hezitojnë dhe kanë frikë nga “zbulimi” i numrit të përafërt të minoritarëve? Çfar do të humbasë shteti Shqiptar në se numri, konkretisht i maqedonasve në Shqipri, në vend rreth 5.000 frymë, do të dalë p.sh. 10.000 frymë, ose më tepër? Azgjë, mendoj unë. Përkundrazi, në se autoritet relevante të Shqipërisë përfundimisht do ta “lejonin” dhe mundësonin “zbulimin” e numrit të vërtetë të përafërt, konkretisht të minoritarëve maqedonas, së pari, nga rendi i ditës në marëdhënjet të shkëlqyera mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, njëherë e përgjithmonë do të hiqet çështja e vetme “problematike”, rreth të cilës të dy vendet, decenje me rradhë, kanë patur/ kanë opinione dijametralish të ndryshme. Dhe së dyti, në arenën ndërkombëtare, Shqipërija një herë dhe përgjitmonë do të shpëtojë nga vërejtjet të arsyeshme të gjertanishme të KE dhe institucioneve të tjera Europjane rreth (mos) respektimit të plotë të të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve të ndryshme. Kjo, para së gjithash do të duhej të ishte/ të jetë në interes të shtetit Shqiptar, mes tjerash, që të mos vazhdojë të humbasë kohë dhe energji për gjëra të pa arsyeshme, mendoj unë. Duke u nisur nga përvoja e kaluarë e keqe e qasjes së Maqedonisë rreth çështjeve të ngjajshme, mund të vihet në përfundim se, edhe Shqipërija një ditë do të detyrohet ta pranojë gjendjen reale rreth çështjes në fjalë, mirpo sa më parë ta bëjë atë, do të jetë më mirë dhe në favor para së gjithash për vetë Shqiprimë.

Frika eventuale për deklarimin si maqedonas të një numri të konsiderueshëm të nënshtetasve shqiptar anë e mbanë Shqipërisë, sipas mendimit tim, është e pajustifikueshme, mes tjerash, për vet faktin se jo të gjithë nënshtetasit e Shqipërisë që si gjuhë amtare e kanë maqedonishten, gjatë regjistrimit do të deklarohen si maqedonas. Kjo, mes tjerash, për vet faktin se, si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoni dhe Kosovë e gjetkë, një numër i tyre në të kaluarën e afërt dhe sot e kanë ndjerë/ e ndjejnë vehten dhe janë deklaruarë/ deklarohen si maqedonas, një numër si shqiptarë, një numër si turq, një numër si serbë, dhe kohëve të fundit, qoftë edhe për arsye llukrative, një numër i tyre deklarohen si bullgarë.

Cila është e vërtata e përkatsisë të mirëfilltë etnike të tyre është çështje që duhet studijuarë dhe verifikuarë nga ana e historijanëve, demografëve dhe studijuesve të tjerë. Nga ana tjetër, sipas mendimit tim, autoritet përgjegjëse të Maqedonisë, të Shqipërisë, të Kosovës e gjetkë, duhet/ janë të detyruarë ti respektojnë ndjenjat e nënshtetasve të tyre gjatë deklarimit rreth përkatsisë të tyre etnike, pa e problematizuarë/ pa e vënë në pikpyetje përkatsinë e tyre “të vërtetë” etnike. Me fjalë të tjera, konkretisht, në se autoritet të shetit Shqiptar me të vërtetë dëshirojnë të “shpëtojnë” nga një barë e këtillë e rëndë, sipas mendimit tim, do të duhej, së pari, tre pyetjet në fjalë, në Ligjin përkatës, ti emërojnë si “Të domozdoshme”/ “Të detyrueshme” dhe “Të dënueshme”, në rast mospërgjigjeje të tyre. Së dyti, të bëjnë çmos për realizimin të përpiktë/ të detyrueshëm, nga ana e regjistruesve, të obligimeve ligjore, gjatë akumulimit të përgjigjeve edhe rreth tre pyetjeve në fjalë, dhe së treti, sipas shembullit të Maqedonisë, gjatë censusit, përveç shtetasve rezidentë, të bëhej regjistrimi edhe i shtetasve jo rezident të vendit.

Një vëmendeje dhe pikpyetje e madhe për mua paraqet kategorizimi, në Ligjin në fjalë, edhe i pyetjes për “Fenë” si pyetje “Opcionale”/ “E pa detyrueshme”. Cila është/ mund të jetë arsyeja e një qasjeje të këtillë? Mos vallë me një qasje të këtillë dikush në Shqipëri dëshiron ta fshehë gjendjen faktike/ të vërtetë të numrit të besimtarëve të Shqipërisë?  Në se nuk gaboj, një ndër qëllimet për një qasje të këtillë mund të jetë tentimi për fshehjen e numrit të vërtetë, posaçërisht të besimtarëve të Fesë Islame. Në se dikush mendon se me truke të këtilla bizantine mund ti ndryshojë shifrat, rreth përbërjes fetare të shtetasve/besimtarëve shqiptarë, mendoj se shumë gabon. Ato janë dhe do të mbeten të tilla siç kanë qenë me shekuj, mendoj unë.

Shpresoj dhe uroj që vërejtjet e mia të kuptohen dhe pranohen si dashamirëse dhe njëkohësisht të meren parasysh dhe në dijeni, nga ana e autoriteve relevante të Republikës së Shqipërisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne