Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev akuzoi sot liderët evropianë se po përpiqen të përshkallëzojnë konfliktin në Ukrainë pas rizgjedhjes së ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Medvedev, i cili aktualisht mban postin e zyrtarit të lartë të sigurisë, shkruan në Telegram se politikanët evropianë synojnë “ta shtyjnë konfliktin me Rusinë në një fazë të pakthyeshme ” ndërkohë që paralajmëroi se Kievi nuk duhet të lejohet të përdorë raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat brenda Rusisë.
“Është e qartë se këto raketa nuk kanë potencial për të ndryshuar ndjeshëm rrjedhën e operacioneve ushtarake”, shkruan ai në rrjetin social Telegram.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer riafirmuan mbështetjen e tyre për Kievin gjatë bisedimeve në Paris dje, ndërsa ministri i jashtëm i Francës u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të mos paragjykojnë se si Trump do ta trajtojë konfliktin.
Medvedev është shprehur në të kaluarën se fitorja e Trump ka të ngjarë të jetë një lajm i keq për Ukrainën.
Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur sasinë e ndihmës perëndimore për Kievin dhe është zotuar t’i japë fund luftës shpejt, por pa shpjeguar se si./sot