Presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se Turqia ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet me Izraelin. Kjo është bërë e ditur nga raportimet në mediat turke.
“Qeveria e Republikës së Turqisë, e udhëhequr nga Tajip Erdogan, nuk do të mbajë apo zhvillojë marrëdhënie me Izraelin”, tha Erdogan, siç raportohet nga Anadolu, pasi Ankaraja njoftoi në maj bllokimin e marrëdhënieve tregtare me shtetin hebre, për shkak të sulmeve izraelite në Gaza.
“Turqia është padyshim kombi që ka reaguar më ashpër ndaj mizorive izraelite, duke përfshirë masa konkrete si ndërprerja e tregtisë”, tha lideri turk.
“Për sa kohë që dërgimi i armëve të vazhdojë, Izraeli do të jetë edhe më agresiv”, shtoi lideri turk, ndërsa Ankaraja së fundi nisi një iniciativë në Kombet e Bashkuara për të vendosur një embargo ndaj shitjes së armëve ndaj shtetit hebre.
Erdogan ua bëri këto komente gazetarëve në avionin e tij, pas vizitave të tij të fundit në Arabinë Saudite dhe Azerbajxhan. Erdogan dënoi atë që ai e quajti gjenocid në Gaza dhe Liban.
Ai theksoi nevojën urgjente për ndihmë humanitare dhe një armëpushim të menjëhershëm.
“Siç e dini, po bëhen përpjekje intensive për të mbajtur të gjallë presionin mbi Izraelin dhe për të marrë masa shtrënguese kundër këtij vendi në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar ai./sot