Shqiperia

Departamenti i Shtetit: Publikuam vendimin e ndalimit për z. Doshi nisur nga rëndësia e çështjes

Adriatik Llallës, ish-prokuror i Përgjithshëm, iu ndalua pak javë më parë hyrja në ShBA. Vendimi u mor nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe pas tij, ambasada amerikane në Tiranë, ambasadori Donald Lu personalisht ishin shumë aktiv në theksimin e këtij akti duke e deklaruar Llallën të korruptuar. Z. Lllalla madje kaloi në hetim penal çka na dëshmon se kundrejt tij ka edhe një llogari personal të Lu dhe të një pjese të politikës në Tiranë.

Krejt e kundërta u provua me vendimin e marrë ndaj deputetit Tom Doshi, për të cilin të gjithë heshtën. Edhe ambasada amerikane, por edhe ambasadori Lu, nuk komentuan por thjesht përcollën vendimin e DASH që është politika zyrtare e ShBA në këtë rast.

Z. Lu e ka shmangur edhe sot përmendjen e z. Doshi ndonëse vendimi i DASH është në përmbajtje identik për të dyja raste dhe referon të njëjtën bazë ligjore. Është pra një situatë e pashpjegueshme. Pak ditë më parë, ResPublica iu drejtua DASh për të marrë vesh diçka më shumë rreth arsyeve të vendimit të marrë për z. Doshi dhe në përgjigje mori këtë sqarim:

Departamenti ka informacione të besueshme se z. Doshi është përfshirë në korrupsion të thellë(significant corruption) gjatë mandatit të tij si anëtar i Parlamentit. Në përgjithësi korrupsioni shkakton kosto thelbësore mbi ekonominë, shoqërinë dhe sigurinë; mund të krijojë lehtësi për krimin e organizuar, të dobësojë besimin ndaj sundimit të ligjit dhe qeverisjes. Kjo ndikon drejtpërdrejt interesat e sigurisë kombëtare të ShBA, ato ekonomike dhe të politikës së jashtme dhe ne besojmë se dëmton edhe interesat e shteteve partnere. Në rrethanat e këtij rasti të veçantë ne besojmë se është e rëndësishme që qeveria dhe populli shqiptar të dinë sesa seriozisht e shohim ne korrupsionin publik dhe përfshirjen e z. Doshi në akte korruptive

Një deklaratë që shpreh qartë rikonfirmimin e akuzave të bëra në njoftimin e parë dhe që e vendos qeverinë shqiptare në kushtet e një informacioni ndaj të cilit ajo nuk mund të rrijë indiferente. DASh nënvizon këtu korrupsionin e presupozuar të një deputeti që lidhet direkt me marrëdhënie me pushtetin qendror dhe në këtë kuptim vendimi përcakton detyrime edhe për Tiranën zyrtare, por që deri më tani nuk ka bërë asgjë.

DASh shton se marrja e informacioneve të besueshme për përfshirje në akte korrupsioni apo shkeljesh të të drejtave të njeriut e detyron atë të përkufizojë zyrtarin përkatës dhe familjen e tij në kuptim të dispozitave të Seksionit 7031. Për këtë arsye çdo informacion që i referohet DASh dhe që klasifikohet i besueshëm do të shoqërohet me vendime të ngjashme dhe në përgjigjen e vet, Departamenti e njofton një gjë të tillë kur shton në përgjigjen e vet për ResPublica se:

Ne po rishikojmë aktivisht rastet dhe po e aplikojmë këtë autoritet me të gjitha vendet. Në varësi të rrethanave të veçanta disa përcaktime bëhen publike ndërsa të tjera janë private

Nëse na lejohet ta interpretojmë këtë pasazh rezulton se mund të ketë vendime ndalimi për zyrtarë të tjerë shqiptarë që mund të mos bëhen publike për arsye që i vlerëson Departamenti. Do të ishte e kuptueshme pra heshtja e z. Lu nëse rasti i z. Doshi do të kualifikohej tek ato për të cilat mbahet konfidencialiteti, por aktualisht kemi një situatë të kundërt. Aq më tepër merr kuptim kjo kur në përgjigjen e vet në rrugë elektronike, DASH ka përfshirë në adresat edhe Zyrën e Marrëdhënive me Publikun në ambasadë, që dëshmon se ajo njofton selinë për interesimin e medias për këtë çështje.

Përtej kësaj loje të z. Lu që nuk sqarohet dot ende, ResPublica iu drejtua edhe  Prokurorisë së Përgjithshme nëse ky institucion do t’i konsiderojë në rrugë institucionale deklarimet dhe akuzat publike të DASH për rastin e z. Doshi dhe në përgjigje mori arsyetimin sipas të cilit:

janë prokuroritë e rretheve ato që mund të nisin hetimin kryesisht sipas ligjit në fuqi

Por për aq sa dihet deri më tani, asgjë nuk ka lëvizur. Ose më saktë, për të spekulluar, ndoshta pushteti në Tiranë ka lëvizur dhe ka kryer atë lobim të cilit i shohim heshtjen si pasojë.