Një tjetër zë nga Partia Demokratike i është bashkuar korit pro-zionist që përkrah sulmet amerikane ndaj Iranit dhe synimin për përmbysjen e regjimit të Teheranit. Në një reagim publik, deputeti demokrat Tritan Shehu – i njohur për nofken – Tritan Prasi dhe qëndrimet e tij të afërta me qarqet amerikane dhe përkrahjen për grupin Muxhahedin-e-Khalq të strehuar në Manzë – ka mbajtur një fjalim të ngarkuar me retorikë propagandistike pro-perëndimore.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, deputeti flet për “shpresë për çlirim të popullit të Iranit nga ajatollahët”, duke përkrahur tërthorazi bombardimet e SHBA-së ndaj Iranit dhe duke përsëritur narrativën zioniste se “ky regjim përbën kërcënim jo vetëm për Izraelin”.
Ai citon edhe Donald Trump dhe kancelarin gjerman Merz, ndërsa nënvizon mbështetjen e tij për “të drejtën e Izraelit për të mbijetuar” – një formulim klasik i përdorur për të justifikuar agresionin izraelit në rajon. Në vazhdim, ai përshëndet “rrezistencën e brendshme anti-regjim” dhe nënkupton nevojën për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë amerikane në çështjet e brendshme të Iranit, duke e quajtur ShBA-në “unazën e parë të ndryshimit”.
Deputeti nuk e fsheh faktin se mbështet plotësisht linjën e Uashingtonit dhe bashkëpunimin me organizatën e diskutueshme Muxhahedin-e-Khalq, një grup opozitar iranian me histori të errët dhe lidhje të ngushta me qeveri të huaja, të cilët prej vitesh strehohen dhe mbrohen në Shqipëri, në kampin e Manzës.
Ky pozicionim e rreshton hapur deputetin në krah të interesave të huaja, në një kohë kur shqetësimet për përfshirjen e Shqipërisë në konfliktet globale janë në rritje./gazetaimpakt