Deputetja izraelite në pushtet, Atbaryan: Ditët e kësaj qeverie janë të numëruara

Anëtarja e partisë Likud në pushtet në Izrael dhe ish-ministrja e Informacionit, e cila së fundmi dha dorëheqjen, Galit Distel Atbaryan tha se ka zemërim të madh ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe se “ditët e qeverisë janë të numëruara”.

Sipas televizionit izraelit “Channel 12”, fjalët e Atbaryan, deputete nga partia Likud e Netanyahut, u pasqyruan në media ku kishte biseduar në WhatsApp me një izraelite që e kritikoi atë.

Në bisedën e publikuar në Facebook nga një izraelit, Atbaryan fajësoi kryeministrin Netanyahu në bisedën e saj me një grua izraelite që e kritikoi për veprimet dhe performancën e saj në qeveri.

Ish-ministrja nga partia Likud, e cila e konsideroi Netanyahun përgjegjës për dështimin e sigurisë që ndodhi të shtunën, më 7 tetor, kur Hamasi nisi sulmet gjithëpërfshirëse kundër Izraelit tha: “Deri të Shtunën e Zezë, isha e sigurt se ai (Netanyahu) ishte z.Siguria”.

“Kam zemërim të madh ndaj Netanyahut, një zemërim që më djeg nga brenda. Kam muaj që e ndrydh zemërimin tim personal ndaj Netanyahut, por do të hap gjithçka një minutë pas përfundimit të luftës”, tha Atbaryan.

Në të njëjtën bisedë në WhatsApp, Atbaryan tha: “Ditët e kësaj qeverie janë të numëruara, kjo është absolutisht e qartë”. Ajo kishte dalë më herët në plan të parë me thirrjen e saj për “spastrim etnik” ndaj Rripit të Gazës të bllokuar.

Në deklaratën që bëri në llogarinë e saj në rrjetin social X më 1 nëntor, Atbaryan tha se “Gaza duhet të fshihet plotësisht nga faqja e dheut”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne