Kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdottir, është shprehur se është “e tmerruar” nga vdekjet e vazhdueshme të civilëve në Rripin e Gazës, duke shprehur mbështetje për një armëpushim humanitar. “Jam e tmerruar nga vdekjet e vazhdueshme të civilëve në Gaza. Islanda dënon të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar”, shkroi Jakobsdottir në platformën X.
“Asgjë nuk mund të ketë përparësi ndaj detyrës për t’u siguruar shërbime mjekësore njerëzve në nevojë. Islanda mbështet thirrjet për armëpushim humanitar”, shtoi ajo. Që nga ofensiva ndërkufitare e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vazhduar me bombardimet e tij të pamëshirshme në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 11.500 palestinezë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite. Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është 1.200. Dje, Këshilli i Sigurimi i Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi një rezolutë duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për korridore urgjente dhe të zgjeruara humanitare në të gjithë enklavën për të siguruar dhe për të mbrojtur jetët e civilëve.
Kryeministrja Jakobsdottir gjithashtu edhe muajin e kaluar ka bërë thirrje për një “pauzë humanitare” në enklavën e rrethuar palestineze. “Derisa mblidhet sot sesioni i 10-të i emergjencës së posaçme i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Islanda u bashkohet thirrjeve për një pauzë humanitare për të lehtësuar shpërndarjen e sigurt të ndihmave humanitare në Gaza. Vuajtja e civilëve dhe humbja e jetëve është zemërthyese”, shkroi ajo në X më 26 tetor./AA