“Dhitë e dhentë e Zerës, emri i Hasan Qerës.”

Auron Tare

Na ishte njëherë një bari i quajtur Zerja, i cili kishte një tufë aq të bukur, saqë kur e nxirrte çdo mëngjes nëpër rrafshnalta, këmborët e zilet dëgjoheshin që larg. Zerja kujdesej për gjënë e gjallë me atë përkushtim të heshtur që kanë njerëzit e punës, të cilët nuk kanë nevojë të mburren për atë që bëjnë.

Aty në fshat jetonte edhe një farë Hasani, i cili bridhte poshtë e lart në Pazar dhe mburrej me tufën e Zerës sikur të ishte pjellë e tij. E përmendte aq shumë, e lavdëronte aq shumë dhe e shiste aq shumë në Pazar, saqë që nga ajo kohë mbeti shprehja:

“Dhitë e dhentë e Zerës, emri i Hasan Qerës.”

Kjo gjë më erdhi ndërmend sot kur pashë konferencën për shtyp të organizuar nga Ministria e Kulturës së bashku me një organizatë të quajtur AADF, së cilës shteti shqiptar – me një bujari që do t’u kishte lënë gojëhapur edhe kolonialistët më të zellshëm – i ka dorëzuar administrimin e një pjese të trashëgimisë kulturore.

Një rast, me sa di unë, aspak i zakonshëm në shtetet që kanë qoftë edhe një grimë respekti për historinë e tyre.

Në fotot e konferencës shihej një tufë zyrtarësh të rregulluar mirë nëpër karrige dhe, mes tyre, një zotëri amerikan nga Nju Jorku, i cili na shpjegonte se si fondacioni i tij bamirës do të ndihmonte shtetin shqiptar në përgatitjen e dosjeve për disa tradita shqiptare që do të paraqiten për njohje ndërkombëtare.

Në listë ishin Dollia, Plisi, Festivali Folklorik i Gjirokastrës, si dhe dy-tre koncepte të tjera kulinarie (byreku, turshitë dhe, me sa duket, çdo gjë tjetër që nuk arrita ta kapja nga fotoja e konferencës).

Për të qenë i ndershëm, nuk dua të merrem gjatë me këtë çështje, por ajo që më shqetëson është poshtërimi i institucioneve shqiptare, të cilat duket se kanë arritur në pikën ku nuk u besohet më as mbledhja, as studimi dhe as dokumentimi i trashëgimisë së tyre.

Imagjinoni pak një vend që, të paktën që nga vitet 1930, ka pasur institucione kulturore, që më vonë krijoi Akademinë, që ka pasur institute, muze, arkiva, etnografë, folkloristë, muzikologë, antropologë dhe njerëz që kanë kaluar jetën duke studiuar pikërisht këto gjëra.

Dhe sot, në vend që Ministria e Kulturës t’i rimëkëmbë këto institucione dhe t’u japë njerëz, mjete e dinjitet, sjell në konferencë një zotëri nga Nju Jorku për të na shpjeguar se çfarë është trashëgimia jonë shpirtërore.

Çfarë ndodhi me shqiptarët që dinin se çfarë ishte dollia, plisi, kënga polifonike, vallja, zakoni i dasmës apo mënyra e bërjes së turshive?

A kanë ikur të gjithë tashmë?

Apo i kemi zëvendësuar me konsulentë?

Dhe pikërisht këtu fillon komedia.

Zotëria amerikan na njofton, në anglisht, se fondacioni i tij:

“we are building on this momentum to position Albania as a global leader in intangible cultural heritage.”

Pra, në shqip: “po bazohemi mbi këtë hov për ta pozicionuar Shqipërinë si lidere botërore në trashëgiminë kulturore jomateriale (shpirtërore).”

Kjo është një fjali aq e madhe, saqë edhe vetë Skënderbeut (të Mamicës, kuptohet) do t’i duhej një karrige për t’u ulur.

Shqipëria, e cila mezi po mbron atë pak pasuri që ka regjistruar tashmë në UNESCO, tani do të bëhet lidere botërore.

Ja, për shembull, shtegtimi i bagëtive (transhumanca).

Një pasuri e trashëgimisë shpirtërore e njohur tashmë nga UNESCO, e cila lidhet drejtpërdrejt me mënyrën tradicionale të jetesës së blegtorëve dhe lëvizjen sezonale të tufave.

Por çfarë po ndodh me shtegtimin e bagëtive në Shqipëri?

Banjoret po ikin nga malet sepse nuk ka kush të kullosë dhe kush të kujdeset për gjënë e gjallë. Tufat po tkurren sepse nuk ka kullota. Fshatrat po zbrazen sepse nuk ka më të rinj.

Së bashku me të gjithë këta elementë, po zhduket vetë jeta që e prodhoi atë trashëgimi, të cilën ne pastaj e fotografojmë, e paketojmë dhe e fusim në një dosje të UNESCO-s.

Ministria e Kulturës nuk e di mirë se çfarë të bëjë me shtegtimin e bagëtive.

Sepse trashëgimia kulturore jomateriale nuk është një prezantim në PowerPoint, nuk është një dosje e bukur, nuk është një logo, as një konferencë me flamuj.

Ajo është njeriu që di të bëjë një gjë dhe ia mëson fëmijës së tij.

Është bariu që ngjitet në mal.

Është këmba e deles.

Është kënga që këndohet në dasmë.

Është gruaja që bën turshi sipas mënyrës së nënës së saj.

Është plisi mbi kokë dhe dollia në tryezën e burrave.

Prandaj, ne kemi nevojë jetike për një shtet që është aq i zgjuar sa të kuptojë se këto gjëra nuk ruhen duke ia dorëzuar të tjerëve për t’i administruar.

Ato ruhen duke mbajtur gjallë njerëzit dhe komunitetet që i krijuan ato.

Prandaj, kur pashë sot atë foto me zyrtarët dhe zotërinë nga Nju Jorku, i cili do ta bëjë Shqipërinë lidere botërore të trashëgimisë shpirtërore, kujtova sërish bariun Zerja.

Dhitë e dhentë e Zerës, emri i Hasan Qerës.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne