Drejtoresha e AKSHI-t nxjerr në publik informacionet sekrete për hakerimin e databazave:

Megjithëse qeveria ka investuar rreth 200 milionë euro në disa vite për sistemet digitale, sulmi kibernetik i qershorit të dy viteve më parë, tregoi se ato ishin të brishta dhe shumica e shërbimeve online u rrëzuan.
Drejtoresha e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj tha sot në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të “Dezinformimit” se vetëm 10% e shërbimeve u prekën nga sulmi i ardhur nga Irani, duke e paraqitur si sukses rënien e të gjitha shërbimeve online, megjithëse investimi i bërë ishte i konsiderueshëm.
Ajo pranoi se AKSHI nuk kishte asnjë informacion se çfarë sulmi ishte dhe gjithçka u rivendos në punë vetëm falë ndërhyrjes së ambasadës amerikane dhe një skuadre te Microsoftit.
“Institucioni ynë ishte i pari që u sulmua nga katër ekipe të mirënjohura. Kuptohet ne nuk e kishim idenë fare nën çfarë sulmi ishim ditët e para. Konkretisht në datën 15 strukturat tona të sigurisë arritën të kapnin tentativat e para. Masat u morën aq sa ishte e mundur po ndërkohë sulmi i datës 16 na tregoi vërtetë forcën e kundërshtarit që kishim përballë, synimi i skuadrave ishte të infektonin beckendet. Mbi 10 mijë në atë kohë. Pra të inkiptonin të gjitha këto kompjutera dhe servera. Falë pajisjeve të sigurisë bëmë izolimin dhe e them me krenari sepse gjithmonë jemi në pjesën e baltosjes pa arsye”, tha Karçanaj.
Sipas saj “Kemi pasur diskutime nëse lidhet me faktin që të gjithë shërbimet janë online, por jo sepse sulmi synonte të fshiheshin të gjitha sistemet e shtetit, edhe nëse shërbimet do të ishin në sportele fizike. Ia dolëm të izolonim gjithçka në atë moment dhe sipas dy raporteve që do të flas pak më vonë, vetëm 10 përqind e sistemeve dhe të dhënave u fshinë nga kundërshtarët”.
Drejtoresha e AKSHI-t u shpreh se rekuperimi i shërbimeve u bë i mundur vetëm nga mbështetja e ambasadës amerikane. “Ishin momente shumë të vështira, nuk e kishim idenë kë kishim përballë dhe kishim një shtet të çorganizuar nga ana tjetër që kërkonin punë e përditshme që ishte e pamundur sepse ne vendosëm që të ulnim të gjitha sistemet e shtetit sepse nuk kishim asnjë analizë ku ishim dhe nëse sulmi i tyre do të shoqërohej nga një tjetër edhe më i madh nga i cili nuk do të kishim shpëtim. U përfshi skuadra më e mirë e Microsoft dhe me suportin e Ambasadës Amerikane, erdhën fizikisht që të bënin investigimin pasi fillimisht nga Microsoft u mendua si një sulm ordiner. Skuadra që erdhi ishte me ekspertë të një niveli shumë të lartë”.
“Ambasada na suportoi me skuadrën më të përgatitur të FBI për Cyber që punuan një muaj për analizën duke dalë në të njëjtin përfundim si ne. Ndërkohë që ne ndihmonim të dyja skuadrat me analizë duhet të ngrinim edhe sistemet pasi qytetarët ishin pa shërbime. Sërish u përfshi Crisp, një nga skuadrat e Microsoft për recovery, dhe në 2 janë 10 përqindëshi që u fshi u rikuperua”, tha Karçanaj. /Top Channel

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress