Kryeministri shqiptar Edi Rama kritikoi të mërkurën liderët botërorë për mosdëgjimin e fjalimeve të njëri-tjetrit, duke shtuar se “fjalët e mira” të folura gjatë samitit të klimës COP29 nuk do të ndryshojnë asgjë. Duke folur në samit, Rama shprehu zhgënjimin e tij duke thënë se e kishte anuluar fjalimin e tij të përgatitur pasi pa që televizorët në sallën e drejtuesve ishin të heshtur gjatë fjalimeve të të tjerëve.
“Për mua, kjo duket saktësisht si ajo që ndodh çdo ditë në botën reale. Jeta vazhdon me zakonet e saj të vjetra dhe fjalimet tona plot me fjalë të mira për të luftuar ndryshimin e klimës, nuk ndryshojnë asgjë”, tha Rama, raporton The Guardian.
Ai vuri në dukje deklaratën e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke theksuar se emetimet e karbonit u rritën midis samitit të fundit të klimës dhe aktualit që po zhvillohet në Baku.
“Çfarë do të thotë për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht?”, shtroi pyetjen kryeministri Rama.
“Çfarë do të bëjmë ne në këtë mbledhje, pa pushim, nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota?”.
Rama vuri në dukje se Shqipëria ka prodhim 100% me energji të ripërtëritshme,.
“Vij këtu nga një vend i vogël në mes të Europës, Shqipëria, ku jemi krenar që kemi prodhim 100 % me energji të ripërtëritshme. Por çfarë nënkupton kjo për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë punën e tyre si përherë? Larg qoftë t’i jap leksion ndonjërit, duke qenë se në fund të fundit jemi mësuar që të na bëjnë leksione, jo t’u bëjmë ne të tjerëve, por ideja ime është çfarë dreqin po bëjmë në këto mbledhje njëra pas tjetrës, nëse nuk ka vullnet politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota. Akoma më keq disa aktorë të mëdhenj dhe të vegjël edhe e bojkotuan këtë ngjarje vjetore”, tha ai.
“Për një kohë të gjatë, ne shqiptarët jetuam nën mallkimin e një historie mizore që na la në izolim të plotë pa asnjë të drejtë, pa asnjë liri lëvizjeje, pa asnjë shpresë për të ardhmen. Ndërkohë që së fundmi jemi të bekuar me shoqërinë e BE dhe për herë të parë në histori liritë, ëndrrat dhe shpresat janë bërë pjesë e jetës sonë, por ajo çfarë po ndodh në Europë dhe në botë sot nuk lë shumë hapësirë për optimizëm dhe pse optimizmi është e vetmja mënyrë mbijetese që njohim ne shqiptarët”, shtoi Rama.
Gati 200 vende janë mbledhur në samitin vjetor të OKB-së për klimën në Baku, i fokusuar këtë vit në mbledhjen e qindra miliarda dollarëve për të financuar një tranzicion global drejt burimeve më të pastra të energjisë dhe për të kufizuar dëmin klimatik të shkaktuar nga emetimet e karbonit. Por shumë nga lojtarët kryesorë nuk ishin të pranishëm në samitin e krijuar për të bashkuar liderët botërorë dhe për të gjeneruar vrull politik për negociatat maratonë./BallkanWeb