Dritat e shatërvanit historik Trevi në Romë fiken për Gazën

Dritat e shatërvanit të famshëm Trevi (Fontana di Trevi), një nga simbolet më të njohura të kryeqytetit italian Romë, janë fikur si shenjë solidariteti me Gazën, e cila ndodhet nën sulme dhe bllokadë nga Izraeli.

Pas një vendimi të marrë muajin e kaluar nga Këshilli i Qytetit të Romës dhe nën sloganin “Roma nuk do të heshtë”, dritat e shatërvanit historik u fikën për një orë, respektivisht midis orës 22:00 dhe 23:00 me kohën lokale, për të bërë thirrje për një armëpushim në Gaza.

Ky gjest simbolik u shoqërua me praninë e një grupi njerëzish mbështetës të kauzës palestineze, të cilët shkaun para shatërvanit me flamuj palestinezë dhe protestuan kundër Izraelit, të cilin e akuzuan për gjenocid në Gaza.

Ndërkohë, përpara Pallatit Poli, që ndodhet pas shatërvanit, u projektua mbishkrimi “Ndaleni luftën në Gaza”.

Ky aktivitet dhe protesta përpara shatërvanit Trevi tërhoqën edhe vëmendjen e turistëve që kishin shkuar për ta vizituar strukturën historike.

Disa vizitorë u panë duke mbështetur thirrjet e grupit pro-Palestinë.

Shatërvani Trevi, i njohur për legjendën e monedhës që sjell fat, këtë herë nuk kërkoi dëshira – por dhimbje të përbashkët. Ai u bë një mur reflektimi për ata që nuk kanë më dritë, as paqe, as strehë.

Gaza është larg, por ndërgjegjja është universale. Dhe mbrëmë, në zemër të Italisë, ndërgjegjja ndriçoi pikërisht përmes errësirës.

/AA/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne