DW: Perspektiva europiane e Shqipërisë në rrezik, dialogu shansi i vetëm

Dialogu mes qeverisë e opozitës u sugjerua nga faktori ndërkombëtar si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza politike, ku është futur Shqipëria, pasi deputetët e opozitës hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare.

Ambasadori i BE, Soreca theksoi ditët e fundit se “qeveria dhe opozita duhet të angazhohen në një dialog konstruktiv për të kaluar këtë situatë. Çështja është sesi Shqipëria mund të ecë përpara drejt BE”.  Deputeti gjerman, Florian Hahn, zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për Zgjerimin dhe Çështjet e BE-së në Bundestag, u bën thirrje “miqve në Shqipëri” që „të fillojnë menjëherë diskutimet, në mënyrë që aktiviteti parlamentar të rifillojë dhe situata të kthehet në normalitet. Perspektiva europiane është në rrezik”, vë alarmin deputeti gjerman në një deklaratë të publikuar nga Agjensia Telegrafike Shqiptare. Kryeministri Rama është në një linjë me faktorin ndërkombëtar kur është fjala për daljen nga kriza. “Jemi gati të ulemi dhe të dialogojmë. Një ndër gjërat që mund të diskutohet është forcimi i demokracisë, por  jo ndryshimi i qeverisë, as ndërprerja e  një mandati legjitim qeverisës” theksoi ai të premten.(22.02)

Kriza politike e pazakontë – opozita injoron thirrjet e faktorit ndërkombëtar

Të pazakontë krizën politike të saposhfaqur e bën pespektiva e paralizës së jetës parlamentare dhe potenciali i protestave për të destabilizuar vendin. Me heqjen dorë zyrtarisht nga mandatet parlamentare, opozita e zhvendosi debatin dhe luftën politike nga parlamenti në rrugë. Thirrjet e aleatëve strategjikë të Shqipërisë, BE dhe SHBA, për të mos djegur mandatet e saj parlamentare mbetën pa u dëgjuar. Ambasadori i Delegacionit të BE, Luigi Soreca, e cilësoi të premten hapin e paprecedentë të opozitës “një vendim që e ka futur vendin në një fazë pasigurie të lartë politike dhe që minon vazhdimësinë e hyrjes së Shqipërisë në BE”.

Edhe  Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, i quajti “dorëheqjet e koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, dëmtim të përpjekjeve për reforma dhe të një institucioni të rëndësishëm të demokracisë”, Parlamentit.

Gjermania, mbështetësja e fuqishme e Shqipërisë në reformat për progres në integrimin europian, është në të njëjtën linjë. Në deklaratën e deputetit gjerman, Florian Hahn, theksohet, se  ”deputetët e partive tona partnere në Shqipëri i bënë autogol qëllimit të tyre, nëse nëpërmjet dorëzimit masiv të mandateve do të shkaktojnë një stanjacion politik dhe do të nxisin protesta të dhunshme”.

Albanien Bürger bei Protesten wegen Arbeitslosigkeit (DW/Ani Ruci)

Pse dalin në protestat e opozitës qytetarët?

Stanjacioni politik është në prag. Zhvillim i protestave edhe me incidente dhune nuk përjashtohet. Kryetari i PD, ish-deputeti Lulzim Basha, tha të premten,( 22.02) se “do të vazhdojë aksioni qytetar pas djegies së mandateve me protesta lokale dhe kombëtare si edhe me përgatitjen e PD për zgjedhje”. Monika Kryemadhi , kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI) pjesë e opozitës së djathtë, tha pas protestës së opozitës para Parlamentit se nuk përjashtohen edhe “shpërthime tritoli”. Opozita kërkon rrezimin e qeverisë Rama pa mbyllur mandatin e saj të dytë, në 2021, pasi sipas saj ajo është „e korruptuar, e lidhur me krimin dhe e ardhur në pushtet me vota të vjedhura”.

Presioni qytetar ndaj qeverisë Rama 2, muajt e fundit është shprehur me protesta këmbëngulëse. Banorët e Astirit,  një zonë e Tiranës,  ku është projektuar të kalojë Unaza e Re, janë në protest prej disa muajsh, të drejtuar nga opozita pasi projekti prek banesat e tyre. Por opozita kërkoi rrëzimin e qeverisë, kur plasi një skandal korrupsioni: kur tenderin e ndërtimit të një segmenti të unazës së re e fitoi një kompani fantazëm, me dokumenta të falsifikuara, që mori 18 milionë euro nga fondet shtetërore dhe menaxheri i saj nuk gjendet nga organet e drejtësisë që po hetojnë skandalin. Opozita e quajti skandalin “vjedhje nga qeveria”. Në dhjetor pasuan protestat e studentëve që kërkuan tarifa më të ulta për shkollim dhe kushte më të mira jetese në konvikte. Ndërkohë largimi i njerëzve, sidomos i rinisë, nga Shqipëria për shkak të papunësisë, varfërisë, mungesës së perspektivës  është një shkak tjetër  i pakënaqëesisë nga qeveria Rama.

Albanien Bürger bei Protesten wegen Arbeitslosigkeit (DW/Ani Ruci)

“I papunë” – shqetësimi kryesor i protestuesve

Edhe pse Shqipëria ia doli mbanë  të ketë në 2018, një  rritje ekonomike  më të madhe se një vit më parë, duket qartë se jo të  gjithë shqiptarët e shohin rritjen në jetën e tyre të përditshme.  Ylli Kapa, protestues nga Tirana, thotë për DW: “Protestoj kundër kësaj qeverie dhe kryeministrit Rama se jam i papunë që prej 5 vitesh, jam mekanik, kam qënë i punësuar në ndërmarrje shtetërore.” Një tjetër protestues, nga Erseka merr pjesë  në protestën e opozitës në Tiranë për të njëjtën arsye. „Protestoj për të drejtën time që të punoj. Jam vetë i pestë në shtëpi, asnjë nuk punon, shkoj emigrant me punë sezonale në Greqi. Jetojmë duke shitur bimë medicinale që i mbledh gjithë familja në mal”.

Kryeministri Rama, pranoi pas përfundimit të protestës para Parlamentit që “nuk është i pagabueshëm”. Por protestat e opozitës i sheh të frymëzuara nga frika e saj për humbjen e zgjedhjeve lokale, në qershor të këtij viti, dhe fillimi i funksionimit të Strukturës së Posacme Anti Korrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të hetojnë korrupsionin e politikanëve të lartë, që sipas kryeministrit Rama do të ndajnë ”akuzat nga krimi”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne