Dyshimet se policia futi në kurth kryetarin e Bashkisë Himarë

Sa më shumë kohë kalon, aq më të forta bëhen dyshimet se kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, iu ngrit kurth nga policia, për ta burgosur. Ato po bëhen edhe më të besueshme pas dëshmive të fundit në procesin që po zhvillohet në gjykatën e posatshme. Lapsi Videos ka arritur të sigurojë incizimin audio të dëshmisë të ish shefit të komisariatit të Policisë Himarë, Ermal Ajdini dhe Arsen Ramës, njeriut që futi në kurth Fredi Belerin (shiko videon poshtë).

Nga versioni që ata kanë shpalosur në sallë të gjyqit shihet se midis kryepolicit të Himarës dhe të infiltruarit, që i ofroi 13 vota për shitje Belerit, ekziston një lidhje e fortë. Në mbi një orë e gjysëm incizim audio të dëshmive, del se policia e kishte përdorur peshkatarin Arsen Rama edhe për çështje të tjera si psh denoncimi i trafikantave të narkotikëve. Rezulton gjithashtu se vetë shefi i komisariatit, Ermal Ajdini e kishte atë një kontakt që e takonte shpesh, madje e ka shoqëruar me makinën e tij, kur ka shkuar të bëjë denoncimin e parë në prokurori kundër Belerit.

Të dy edhe Ajdini edhe denoncuesi Arsen Rama, dëgjohen në audio të pohojnë gjithashtu, se i infiltruari është paguar për denoncimin e bërë. Po të ndiqet me vëmendje deponimi i tyre, duket se ata kanë ngurim ta tregojnë këtë gjë madje dredhojnë dhe përpëliten të tregojnë edhe shumën e shpërblimit që ka përfituar denoncuesi i Belerit.

Pra hipoteza e një procesi politik, ku ka ndikuar një kurth policor, bëhet më e fortë. Deri më tani, kjo hipotezë mbështetej vetëm në përkimin e arrestimit, me sulmet politike që kryeministri Rama bëri sistematikisht ndaj kandidatit të Bashkisë Himarë. Tani, nën dritën e fakteve të reja që po dalin në sallën e gjyqit shtohen dyshimet për ngritjen e një kurthi të organizuar duke përdorur policinë për të provokuar kandidatin minoritar të opozitës.

Në incizim dëgjohet zëri i kryepolicit Ermal Ajdini që i pyetur nga avokatët në sallën e gjyqit, pranon se e ka pasur kontigjent Ramën.

Ai pohon se e ka përdorur edhe herë të tjera si  bashkëpunëtor atë…

Në dialogun që ka shkëputur Lapsi.al nga biseda mbi një orëshe, dëgjohet shefi i komisariatit Ajdini të pohojë se ai e ka përdorur Arsen Rzmën dhe më parë

Avokati: A keni evidentuar ndonjë rast tjetër të vetëofrimit ku shtetasi Arsen Rama te ketë denoncuar fakte kriminale?

Shefi i komisariatit: Po kam pasur edhe disa raste për trafik narkotikësh”…

Ai pranon edhe se Arsen Rama është paguar për të çuar pas hekurave Belerin. Po të dëgjohet incizimi audio, edhe i infiltruari edhe kryepolici kanë vështirësi ta pranojnë këtë fakt para gjykatës. Ata pasi pranojnë faktin kalojnë në pohime qesharake duke thanë se nuk mbajnë mend se sa ka qenë shuma e shpërblimit dhe se cili ka qenë motivi i tij.

Avokati: A jeni ne djeni që Arsen Ramës i është bërë shpërblim në të holla?

Prokurorja kundërshton

Gjykatësi: A ka marrë shpërblim?

Drejtori i policisë: Po ka marrë

-Për çfarë e ka marrë pagesën?

-Kjo është sekret hetimor, pyesni policinë e Vlorës për informacion

Dëshmia e Arsen Ramës

Avokati -A jeni paguar me bankë për këtë denoncim?

Arsen Rama-Kur kam qenë në procedura nuk më ka premtuar njeri që do shpërblehem?

-Po më pas a jeni paguar, a keni marrë pagesë?

-Po mu bë një shpërblim pasi kjo punë qe mbaruar?

-Sa ishte shpërblimi?

-Nuk më kujtohet shuma”.

Denoncimin se Arsen Rama është paguar për të provokuar e hodhi për herë të parë Sali Berisha. “Ai ka marrë 7 milionë lekë për të provokuar kandidatin minoritar. Pagesa është bërë nga Fondi i Posaçëm Sekret i Policisë së Shtetit”, ka deklaruar në 25 tetor lideri i opozitës, duke iu referuar një burimi brenda policisë.

“Shtetasi Arsen Rama është trajtuar si burim konfidencial dhe e ka marrë këtë shpërblim duke u paguar me mandat pagese nga arka e policisë sipas një procedure, e cila është klasifikuar sekret shtetëror. Dëshmia e tij para gjykatës është e pavlefshme dhe kjo provë duhet të deklarohet e papërdorshme”, pati pretenduar burimi i Berishës.

Dyshimet se njeriu që denoncoi Belerin mund të ketë qenë i infiltruari i policisë kanë qenë të forta që kur ndodhi arrestimi. Këto pandehma vinin së pari se Arsen Rama, që iu afrua vetë Belerit duke pretenduar se kishte 8 vota dhe kërkonte nga 50 euro për secilën prej tyre, ishte një i njohur i kandidatit të opozitës për Himarën, të cilit i shiste peshkun për restorantin e tij. E dyta qe gjendja e tij e mjere financiare dhe fakti se kishte qenë më parë kontigjent i policisë. E treta se arrestimi i Belerit ishte paraprirë nga një fushatë e egër personale e kryeministrit Rama kundër tij.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli. Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.

Athina zyrtare ka ushtruar presion të madh mbi këtë çështje mbi Tiranën duke kërcënuar edhe me bllokimin e integrimit të vendit në BE. Gjatë samitit të fundit BE -Ballkani Perendimor kryeministri grek Mitsotakis deklaroi se vendi i tij mund të vinte veton për hapjen e kapitujve të Brukselit me Shqipërinë./Lapsi

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne