Egjipti: Izraeli nuk lejon kalimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry tha se ndihma humanitare është duke pritur në portën kufitare Rafah, por Izraeli nuk lejon kalimin e ndihmave në Rripin e Gazës.

Shoukry u takua me ministren e Jashtme franceze, Catherine Colonna në kryeqytetin Kajro. Ministrat pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Ai tha se vendi i tij kundërshton çdo përpjekje për të eliminuar çështjen palestineze, Shoukry tha: “Vazhdojnë përpjekjet e Egjiptit për të kontrolluar tensionet në Rripin e Gazës”. Ministri egjiptian theksoi se vazhdojnë përpjekjet për dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës dhe se ndihmat janë të gatshme për t’u dërguar në rajon.

Ministrja franceze, Colonna tha se situata në Gaza ka arritur nivele të rrezikshme dhe ka filluar të kërcënojë sigurinë e të gjithë rajonit.

Ajo tha se Franca ndau 10 milionë euro për organizatat e ndihmës humanitare në Gaza. “Rrethimi i Rripit të Gazës nga Izraeli është shkelje e ligjit ndërkombëtar. Civilët në Gaza duhet të mbrohen dhe të plotësohen nevojat e tyre themelore”, tha Colonna.

Colonna u takua edhe me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi.

Konflikti Izrael-Palestinë

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.

Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.436 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.750 palestinezë ndërsa janë plagosur 9.700 të tjerë.

Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 58 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë. Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 10 gazetarë, prej të cilëve 9 në Gaza dhe një në Liban.

Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne