Erdogan në bisedën telefonike me Biden: SHBA-ja ka “përgjegjësi historike” për të siguruar armëpushimin në Gaza

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se është “përgjegjësi historike” e Amerikës që sa më parë të sigurojë një armëpushim të përhershëm në Gaza.

Siç njofton Drejtoria e Komunikimeve e Turqise, Erdogan dhe Biden zhvilluan një bisedë telefonike për të diskutuar sulmet e Izraelit në territoret palestineze, veçanërisht në Gaza, marrëdhëniet dypalëshe, si dhe aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO. Erdogan tha se një armëpushim mund të arrihet shpejt nëse SHBA-ja tërheq “mbështetjen e pakushtëzuar” për Izraelin.

Ai i tha Bidenit se tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalet, si dhe e paralajmëroi se thellimi dhe zgjatja e sulmeve të Izraelit mund të ketë “pasoja negative rajonale dhe globale”. Presidenti turk për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë theksoi nevojën për krijimin e një mekanizmi garantues, siç sugjerohet nga Turqia.

Më tej, Erdogan theksoi se krijimi i një shteti palestinez të pavarur dhe sovran me Kudsin si kryeqytet të bazuar në kufijtë e vitit 1967 është “zgjidhja më e arsyeshme dhe e përhershme”. Dy presidentët diskutuan edhe ofertën e Ankarasë për blerjen e avionëve luftarakë F-16 nga SHBA-ja.

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të sulmit ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 18.787 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 50.897 të tjerë janë plagosur./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne