Presidenti i Turqis, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij po përdor të gjitha mjetet diplomatike që ka në dispozicion për të siguruar një armëpushim në konfliktin Izrael-Palestinë. Lidhur me prioritet e Türkiyes në samitin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) të kësaj fundjave, presidenti Erdogan tha se tema kryesore e samitit do të jetë konflikti midis Izraelit dhe Palestinës.
“Ne do të mblidhemi për të diskutuar temën në detaje dhe për të negociuar për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Ne do të fokusohemi në pyetje ‘Çfarë mund të bëjë secili vend pjesëmarrës këtu? Çfarë mund të bëjnë vendet e Gjirit’”, u tha presidenti turk gazetarëve gjatë fluturimit të tij të kthimit nga samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO) në Tashkent të Uzbekistanit.
“Malajzia, Indonezia, Pakistani, Turqia, ne do të diskutojmë në detaje se çfarë mund të bëjë secili prej nesh”, tha ai. Erdogantha se vendimet që do të vijnë nga samiti në kryeqytetin saudit Riad do të jenë hapa për të ndaluar mizoritë e Izraelit. “Nëse jeni të sinqertë për një armëpushim, bëni presion mbi Izraelin për të zbatuar rezolutat e OKB-së”, u kërkoi Erdogan vendeve perëndimore.
Ai shtoi se qëllimi është të çojnë Izraelin të lejojë kalimin e të plagosurve dhe të sëmurëve në Gaza përmes një korridori humanitar ku mund të ofrohet shërbimi mjekësor. “Të drejtat e njeriut dhe ligji ndërkombëtar kërkojnë një ndërprerje të menjëhershme të kësaj lufte të pistë”, tha Erdogan.
Më tej, presidenti turk tha se Izraeli nuk duhet ta vendosë veten jashtë ligjit ndërkombëtar, duke shtuar se të gjithë duhet të kundërshtojnë një pamaturi të tillë. Pa zgjidhjen e çështjes së Izraelit, theksoi Erdogan, nuk mund të flitet për paqe në rajon apo botë dhe asnjë rend juridik gjithëpërfshirës ndërkombëtar nuk mund të realizohet plotësisht.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga ofensiva ndërkufitare nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor. Të paktën 10.569 palestinezë janë vrarë, përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1.600./AA