Euromaidani: Një pikëpamje nga Moska 10 vjet më vonë.

Artikull i Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, M.Afanasiev

Më 21 nëntor të këtij viti mbushen 10 vjet nga fillimi i “euromadianit” – protestave antiqeveritare në qendër të Keivit, si rezultat i të cilave në nëntor 2013 – shkurt 2014, me mbështetjen aktive financiare, politike e diplomatike të SHBA-së dhe BE-së, në Ukrainë ndodhi grushti i shtetit i armatosur dhe në pushtet erdhën forcat radikale nacionaliste. Shkak për këtë shërbeu vendimi i presidentit legjitim të Ukrainës, V.Janukoviç për të shtyrë nënshkrimin e Marrëveshjes mjaft të diskutueshme për Asociimin me BE-në.

Ardhja në pushtet e nacionalistëve në Kiev pati pasoja shkatërruese për Ukrainën, kontribuoi në shfrenimin e ekstremizmit, përkeqësimin e ndjeshëm të situatës social-ekonomike në vend, në shkeljen e përgjithshme të ligjit, në ndarjen e shoqërisë ukrainase. Banorët e Republikës së Krimesë dhe të qytetit të Sevastopolit refuzuan t’i nënshtrohen diktatit të puçistëve dhe në mars 2014 morën pjesë në referendumin e organizuar nga autoritetet vendase, në të cilin shumica dërrmuese e votave (më shumë se 90%) shkoi për shkëputjen nga Ukraina dhe ribashkimin me Rusinë. Më pas shpërtheu konflikti në Donbas, ku njerëzit kërkuan respektimin e të drejtave të tyre legjitime, përfshirë të drejtën për të folur në gjuhën amtare,  për të mësuar fëmijët në këtë gjuhë, për të respektuar heronjtë e tyre, që 80 vjet më parë shpëtuan botën nga fashizmi. Si përgjigje, Kievi akuzoi të gjithë banorët e rajoneve juglindore për “tradhti shtetërore” dhe “terrorizëm”, dërgoi ushtrinë e rregullt dhe batalionet ndëshkuese neonaziste për të shtypur protestat. Kundër banorëve të Donbasit u vendos një bllokada çnjerëzore social-ekonomike dhe ajo e transportit, nisën bombardimet dhe sulmet e përditshme me raketa, si rezultat i të cilave gjatë 8 viteve (2014-2021) u vranë më shumë se 14 mijë civilë, përfshirë 130 fëmijë.

Regjimi i Kievit oganizoi një genocid të vërtetë kundër qytetarëve që e kundërshtuan atë. Kuadrot filmike të tmerrshme të xhiruar në Odessa, ku më 2 maj 2014 radikalët nacionalistë ukrainas dogjën qëllimisht Shtëpinë e Sindikatave, në të cilën ishin fshehur kundërshtarët e pushtetit të ri, përshkuan gjithë botën. 48 persona u dogjën për së gjalli, u helmuan me gaz karbonik dhe humbën jetën, si rezultat i hedhjes nga katet e sipërme. Këto ngjarje, por edhe spastrimet çnjerëzore në Mariupol në maj 2014, po kështu vrasja e gazetarit Oles Buzina dhe e gazetarëve të tjerë të pavarur: Anatoly Klyan, Anton Voloshin, Igor Kornelyuk, Andrey Stenin, Andrea Rokkeli, Sergey Dolgov, Vyaceslav Veermy, Vaim Komarov mbeten ende të pahetuara dhe të pandëshkuara.

Kjo linjë destruktive e Kievit u mbështet fillimisht nga SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO, të cilët përkrahën plotësisht rusofobinë agresive, mbyllën sytë ndaj shfaqjeve të neonazizmit dhe ende nuk i kanë dënuar krimet e rënda të keqbërësve fashistë ukrainas. Përgjatë 8 viteve, me dakordësinë e heshtur të Perëndimit, regjimi i Kievit zhvilloi një punë të qëllimshme për shkatërrimin e kodit kulturor të banorëve të Ukrainës përmes ukrainizimit të detyruar, duke shtypur dhe shkatërruar çdo gjë ruse. Si rezultat i iniciativave ligjore të miratuara në 2014-2021, gjuha ruse praktikisht u ndalua, shkollat ruse u mbyllën. U vendosën kuota të rrepta gjuhësore në televizion, radio dhe media; u krijuan kufizime të panumërta për shpërndarjen e produkteve të shtypura dhe audio-vizive në gjuhën ruse, një gjuhë amtare për shumicën e ukrainasve.

Apogje i politikës nacionaliste të autoriteteve ukrainase u bë deklarata e V.Zelensky, në vjeshtë 2021, i cili i quajti banorët e Donbasit “gjallesa” dhe “jo-njerëz” dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve të Ukrainës që e konsideronin veten rusë të largoheshin nga vendi. Gjithçka që po ndodh në Ukrainë me sloganet “Ukraina para së gjithash!”, “Ukraina për ukrainasit!”, “Lavdi Ukrainës, lavdi heronjve!”, si edhe synimi për ukrainizimin total të rikujton shembujt e trishtë nga Gjermania fashiste, ku në vitet 1939 slogani “Gjermania para së gjithash!” u përhap gjerësisht.

Në dallim nga qëndrimi i Perëndimit, i cili aktivisht i hodhi benzinë zjarrit të furishëm të krizës së brendshme ukrainase, Rusia ndërmori vazhdimisht përpjekje për kapërcimin e saj. Me ndërmjetësimin aktiv të saj më 12 shkurt 2015 u nënshkrua “Kompleksi i masave për përmbushjen e marrëveshjeve të Minskut”, i miratuar me rezolutën Nr.2202 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo u bë një bazë ligjore e pakontestueshme për zgjidhjen e konfliktit të brendshëm ukrainas. Megjithatë, shansi real për të rivendosur tërësinë territoriale të Ukrainës (pa Krimenë dhe Sevastopolin që hynë në përbërje të Rusisë, sipas rezultateve të referendumit të zhvilluar në mars 2014) humbi, për shkak të sabotimit të qëllimshëm nga Kievi dhe nga “garantuesit” perëndimorë – Gjermania e Franca – të përmbushjes së detyrimeve të tyre. Më vonë, në dhjetor 2022, ish-udhëheqësit – kancelarja gjermane, A.Merkel, presidenti francez, F.Hollande dhe presidenti ukrainas P.Poroshenko – pranuan hapur dhe madje me krenari se nuk kishin ndërmend të zbatonin marrëveshjet e Minskut, se ato duheshin vetëm për të blerë kohë për pompimin e Ukrainës me armë për luftë me Rusinë.

Si rezultat, ndërhyrja vulgare e Perëndimit në punët e brendshme të Ukrainës, miratimi prej tij i grushtit të shtetit të armatosur, i vendosjes së regjimit nacionalist, gjithashtu fillimi i luftës kundër civilëve në juglindje të Ukrainës, mbjellja e rusofobisë në sfondin e asimilimit ushtarak të territorit të saj, formimi në të i një placdarmi antirus ishte e pamundur të injoroheshin më tej. Rusia u detyrua të nisë në shkurt 2022 operacionin special ushtarak për mbrojtjen e Donbasit, për demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës.

Megjithatë, në vend që t’i thërrisnin mendjes, të llogaritnin rreziqet dhe kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë globale, dhe të sillnin në vete “protezhetë” e tyre, Perëndimi vendosi të shfrytëzonte situatën dhe të arrinte me çdo kusht “fitoren mbi Rusinë në fushën e betejës”, me qëllim ruajtjen e atij sistemi botëror, në të cilin Uashingtoni dhe satelitët e tij, përmes forcës ushtarake dhe levave ekonomike, të mund të vazhdojnë ta detyrojnë botën të “hedhin valle, sipas melodisë së tyre”.

Nga fillimi i operacionit special ushtarak vëllimi i përgjithshëm i “ndihmës” ushtarake për Kievin ka tejkaluar shifrën 160 miliardë dollarë. Për krahasim: ndihma humanitare e SHBA-së për Shqipërinë gjatë 30 viteve (nga viti 1992) arriti në rreth 500 milionë dollarë. “Miqtë” perëndimorë të Ukrainës vazhdojnë ta furnizojnë atë me armë dhe pajisje ushtarake, përfshirë predha me uranium të varfëruar dhe municione thërrmuese, të cilat hyjnë në kategorinë e armëve çnjerëzore dhe përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm për popullsinë civile dhe ekologjinë e zonës, duke përfshirë tokën bujqësore. Dhënia e modeleve moderne të armëve perëndimore regjimit të Kievit, si edhe pjesëmarrja e instruktorëve të NATO-s në trajnimin e personelit ushtarak ukrainas, rrisin mundësinë e një përplasjeje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s. Nëse kjo ndodh, do të thotë vetëm një gjë – përhapja e konfliktit të armatosur në vendet e tjera evropiane që janë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Përveç kësaj, fakte të shumta të korrupsionit midis udhëheqjes ushtarako-politike të Ukrainës dhe përfshirjes së saj në tregtinë e paligjshme të armëve të furnizuara nga vendet perëndimore si “ndihmë” ushtarake rrisin rreziqet e rënies së tyre në duart e terroristëve dhe të grupeve ekstremiste. Ato tashmë po shfaqen në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe në vetë Evropë. Kështu, për shembull, në tetor 2022, Komisioneri i policisë qendrore kriminale të Finlandës, Christer Ahglren, tha se armët e dërguara fillimisht në Ukrainë, përfshirë pistoleta, granata dhe dronë luftarakë, u gjetën në Holandë, Danimarkë dhe Suedi. Sipas tij, grupet kriminale në Finlandë janë “shumë të interesuara” për blerjen e sistemeve moderne ushtarake, municioneve dhe armëve.

Deklaratat dhe veprimet praktike të vendeve të Perëndimit kolektiv konfirmojnë se ajo që po ndodh sot në Ukrainë ka karakterin e një konfrontimi global, për të cilin ato janë përgatitur për një kohë të gjatë dhe me kujdes. Në të njëjtën kohë, Ukraina është vetëm një mjet në duart e SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO, të cilët, në përpjekje për të siguruar interesat e tyre neokoloniale, me sa duket, harruan të drejtat dhe liritë ligjore të shteteve të tjera sovrane dhe se në rrezik ndodhet e gjithë arkitektura e sigurisë në një shtëpi aq të brishtë, të quajtur Tokë. Bota e diktatit dhe egoizmit kombëtar, siç tregon shembulli i Ukrainës, mund t’i çojë të gjithë në një rrugë pa krye./GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne