Familjarët e pengjeve izraelite të mbajtur në Gaza: Indiferenca ndaj nesh është e “turpshme”

Familjet e të pengjeve izraelite, të mbajtur nga Hamasi, e kanë cilësuar “të turpshme” indiferencën e qeverisë izraelite e cila nuk iu përgjigj kërkesës së tyre për t’u takuar me Kabinetin e Luftës pasi ushtria rifilloi sulmet e dhunshme në Gaza më 1 dhjetor, si dhe bënë thirrje për “kthimin në negociata për shkëmbimin e të burgosurve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në konferencën për media, Daniel Lifshitz, duke folur në emër të të afërmve të pengjeve izraelite në Rripin e Gazës, i bëri thirrje qeverisë t’i “rikthehet negociatave me Hamasin për shkëmbimin e të burgosurve sa më shpejt të jetë e mundur” dhe tha se në të kundërtën ato do t’i “shtojnë veprimet e tyre”.

“Ne ju bëjmë thirrje që të ktheheni në tryezën e bisedimeve menjëherë, pa vonesë, me çdo kusht. Indiferenca juaj ndaj nesh është turp. Nëse nuk jeni të interesuar të na përfaqësoni, ne do të shkojmë te një organ ndërkombëtar që pranon ta bëjë këtë. Ne nuk do t’ju lutemi. Duke filluar nga kjo mbrëmje, ne do të fillojmë të presim para Ministrisë së Mbrojtjes (në Tel Aviv) dhe nuk do të shkojmë askund”, tha Lifshitz.

Në deklaratën e zyrës për media të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se “së shpejti do të vlerësohet një takim me të afërmit e të burgosurve”.

Familjet e të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës janë të shqetësuara

Së fundmi, ushtria izraelite njoftoi se në Rripin e Gazës ka 137 pengje izraelite.

Marrëveshja për një “pauzë humanitare” 4-ditore në përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 24 nëntor në orën 07:00 sipas orës lokale dhe më pas u zgjat edhe për 3 ditë të tjera.

Në marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve ndërmjet palëve, 81 pengje izraelite u liruan nga Rripi i Gazës dhe 240 të burgosur palestinezë u liruan nga burgjet izraelite. Familjet e pengjeve izraelite kishin kërkuar një takim me kabinetin izraelit të luftës për të diskutuar kthimin e të afërmve të tyre pas përfundimit të “pauzës humanitare”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne