Qindra palestinezë u mblodhën në qytetin Deir al-Balah për t’u dhënë lamtumirën të burgosurve të ndjerë, të cilët nuk mund të identifikoheshin pasi tiparet e tyre ishin zhdukur si pasojë e torturave.
Një funeral u mbajt të mërkurën në Gazën qendrore për 54 të burgosur palestinezë të kthyer nga Izraeli në kuadër të një marrëveshjeje armëpushimi.
Qindra palestinezë u mblodhën në qytetin Deir al-Balah për t’ua dhënë lamtumirën të burgosurve të ndjerë, të cilët nuk mund të identifikoheshin pasi tiparet e tyre ishin zhdukur si pasojë e torturave.
Ismail Al-Thawabta, drejtori i Zyrës së Mediave të Qeverisë së Gazës, tha në një konferencë për shtyp se në trupat e tyre ishin të dukshme shenja torture, përfshirë gjurmë varjeje, litarë rreth qafës dhe plagë të shkaktuara nga të shtëna nga afër.
Ekipet mjekësore dokumentuan gjithashtu lidhje të duarve dhe këmbëve me pranga plastike, mbulesa në sy, djegie, fraktura dhe prova se trupat ishin shtypur nga gjurmë tankesh, shtoi ai.
“Këto veprime përbëjnë dëshmi përfundimtare për ekzekutime në terren,” tha Thawabta, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) që ta hetojë dhe ta mbajë Izraelin dhe mbështetësit e tij përgjegjës.
Huda Hammad, një grua palestineze që kërkon një të afërm, tha se vjen çdo ditë për të identifikuar djalin e mbesës së saj.
“Por nuk arritëm dot, sepse nuk kishte mbetur asnjë tipar,” tha ajo.
Ajo shtoi se disa trupa ishin të gjymtuar ose të copëtuar, duke theksuar nevojën për testime ADN-je për identifikimin e tyre.
Familjet palestineze përpiqen t’i identifikojnë trupat përmes tipareve të mbetura ose veshjeve, pasi shumica e trupave janë pranuar pa emra ose dokumente. Kapacitetet për testime në Gaza mbeten të kufizuara për shkak të bllokadës shumëvjeçare izraelite dhe shkatërrimit të laboratorëve.
Që nga 14 tetori, Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka pranuar 165 trupa përmes Kryqit të Kuq në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor mes Hamasit dhe Izraelit.
Faza e parë e marrëveshjes përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori 2023, lufta gjenocidale e Izraelit ka vrarë mbi 68.200 persona dhe ka plagosur më shumë se 170.300 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës./trtbalkan

















