Gaza, zona përreth spitalit “Al-Kuds” goditet me sulme ajrore dhe artilerike

Zona përreth spitalit “Al-Kuds” në Rripin e Gazës nën bllokadë prej orësh të tëra po përballet me sulmet ajrore dhe artilerike të Izraelit. Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, mësohet se zona përreth spitalit “Al-Kuds” i cili strehon mijëra njerëz të zhvendosur në Gaza, që në orët e mëngjesit ka qenë shënjestër e sulmeve ajrore dhe artilerike të Izraelit.

Në sulme thuhet se ka dhjetëra të vdekur. Në median sociale janë paraqitur pamje që tregojnë tymin që ngrihet nga shumë pika përreth spitalit. Një nga zyrtaret e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, Nebal Farsakh në një deklaratë për media tha se zona përreth spitalit “Al-Kuds” është përballur me sulmet ajrore dhe artilerike të Izraelit për orë të tëra.

“Si pasojë e ashpërsisë së sulmeve ambulancat nuk mund t‘i përgjigjen asnjë thirrjeje”, tha Farsakh e cila vuri në dukje se në spital trajtohen mijëra persona të zhvendosur dhe qindra të plagosur.

– “Në spital strehohen 14 mijë refugjatë”

“Deri më tani për shkak të sulmeve nuk e dimë se sa persona kanë vdekur dhe sa janë plagosur. Situata është shumë kritike. Personeli shëndetësor që punon atje është në rrezik. Forcat pushtuese kanë kryer shumë shkelje kundër personelit shëndetësor. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndaj kësaj situate”, tha Farsakh. Duke vënë theksin se në spital “janë strehuar 14 mijë persona të zhvendosur” kryesisht gra dhe fëmijë, ajo theksoi se përveç sallës së kujdesit intensiv dhe të operacioneve, çdo cep i spitalit përfshirë edhe shkallët, korridoret dhe hapësirat janë të mbushur me njerëz.

Së fundmi Farsakh i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbrojnë urgjentisht të gjitha spitalet, punonjësit e shëndetësisë dhe ambulancat që punojnë në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne