Gazetari izraelit, Gideon Levy: Armëpushim sa më parë në Gaza

Gazetari dhe shkrimtari izraelit, Gideon Levy tërhoqi vëmendjen se në Rripin e Gazës së bllokuar mbi 2 milionë njerëz ndodhen prej vitesh nën bllokadë dhe tha se duhet të ketë armëpushim sa më parë.

Levy, një shkrimtar për gazetën izraelite “Haaretz” në një prononcim për Anadolu në Istanbul ku ai po merr pjesë në Forumin Botëror TRT 2023 foli për situatën në Gaza.

Gazetari mbron idenë se institucionet e medias nuk duhet të vendosin në të njëjtën kategori median izraelite me median ndërkombëtare lidhur me mbulimin e ngjarjeve që ndodhin në Gaza.

“Media ndërkombëtare ka transmetuar pamjet në Gaza për çdo shtëpi në Evropë, Azi dhe Afrikë”, deklaroi Levy i cili shtoi se kanë vepruar drejtë në këtë aspekt.

“Ato që përjetohen në Gaza duhet të shihen nga të gjithë. Kjo është detyra e të gjithëve në botë, të shohin fëmijët e plagosur, të shohin të pastrehët, trupat e pajetë dhe spitalet. Të gjithë duhet t‘i shohin këto”, thekson ai.

“Nuk mund të them të njëjtën gjë për mediat izraelite të cilat sistematikisht, qëllimisht dhe vullnetarisht fshehin nga shikuesit dhe lexuesit izraelitë ato që ndodhin. Izraelitët nuk shohin asgjë sepse nuk duan të shohin”, tha Levy duke krahasuar mediat në vendin e tij me mediat ndërkombëtare.

“Ai që paguan çmimin është populli i Gazës”

Duke tërhequr vëmendjen mbi vështirësinë për të arritur një zgjidhje paqësore dhe afatgjate në Gaza ku vazhdojnë sulmet e Izraelit, Levy tha: “Për mendimin tim duhet të ketë armëpushim sa më parë, disa forca ndërkombëtare duhet të hyjnë në Gaza të paktën për një kohë të shkurtër”.

Gazetari Levy nënvizoi se duhet të përfundojë bllokada e Gazës. “Është e pamundur që 2.3 milionë njerëz të mbahen në kafaz për 16 vite. Kjo duhet të përfundojë tani menjëherë”, tha ai.

Në vazhdim, Levy shpjegoi se në të kaluarën ka lëvizur për një kohë me truproja për shkak se ka paraqitur qëndrime opozitare ndaj politikës së qeverisë izraelite për Gazën. “Unë personalisht nuk paguaj çmimin. Ai që paguan çmimin është populli i Gazës”, tha ai.

Levy thotë se ka nevojë për vendet që luajnë rol të rëndësishëm në nivel global nga kontinente të ndryshme të botës. “Türkiye është shembull shumë i mirë i nevojës për aktorë rajonalë dhe globalë. Për mendimin tim forumi (TRT World Forum), është një prej shembujve të transformimit të Türkiye-s në aktor ndërkombëtar”, shtoi Levy./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne