Si e interpretoni sulmin e koordinuar mediatik ndaj Gazetës Impakt nga veprimtarët e Grupit të Deçanit, Bajram Kabashi dhe Asllan Dibrani?
Përgjigje:
Sulmi ndaj Gazetës Impakt nga Bajram Kabashi dhe Asllan Dibrani është pjesë e një fushate të vazhdueshme propagandistike antiislame dhe antimuslimane që po zhvillohet në trojet shqiptare vitet e fundit. Impakt ka vepruar si një media e lirë dhe e pavarur, duke informuar opinionin publik në kohë reale dhe duke denoncuar çdo lëvizje që bie ndesh me interesin kombëtar. Një ndër këto lëvizje është edhe Lëvizja e Deçanit, e cila promovon kthimin në fenë e të ashtuquajturve “të parë”.
Cilat janë arsyet pse Asllan Dibrani dhe Bajram Kabashi shfaqin urrejtje të theksuar ndaj Islamit dhe myslimanëve shqiptarë?
Përgjigje:
Mendoj se këta persona vuajnë nga një mungesë serioze informimi dhe formimi kulturor. Urrejtja e tyre patologjike ndaj Islamit lidhet me edukimin e tyre në sistemin ateist-laik të ish-Jugosllavisë dhe me ndikimin e historiografisë enveriste shqiptare. Shumë prej tyre janë gjithashtu të ndikuar nga rryma ideologjike që e kanë marrë Ibrahim Rugovën si pikë referimi, duke e përdorur edhe fenë si instrument politik.
Pse Asllan Dibrani e etiketon Gazetën Impakt si “fabrikë propagandistike të islamizmit politik”?
Përgjigje:
Ky etiketim është i pavërtetë dhe tendencioz. Gazeta Impakt është një media realiste, koherente dhe informuese, e cila kontribuon në pasurimin e debatit publik. Në mënyrë figurative, ajo “thith dioksidin e karbonit dhe çliron oksigjen” për shoqërinë. Në të kundërt, Lëvizja e Deçanit prodhon tension, ndasi dhe helm ideologjik në jetën publike.
Pse Lëvizja e Deçanit shfaq armiqësi ndaj identitetit fetar të myslimanëve shqiptarë?
Përgjigje:
Lëvizja e Deçanit është një strukturë me prirje antishqiptare dhe antiislame. Nuk është rastësi që në radhët e saj gjenden individë me ideologji të njëjtë dhe me një agjendë të qartë përçarëse. Historia njeh raste të ngjashme, si Republika e Mirditës, e cila synonte destabilizimin e shtetit shqiptar; edhe sot, kjo lëvizje minon stabilitetin e Kosovës me ide ekstremiste dhe kontraverse.
Si e vlerësoni thirrjen për censurë ndaj Gazetës Impakt në raport me lirinë e shprehjes?
Përgjigje:
Thirrja për censurë përbën një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim. Gazeta Impakt është në rrugën e duhur dhe duhet të zgjerojë më tej ndikimin e saj. Pikërisht analiza e saj kritike dhe e pavarur ka shqetësuar kundërshtarët, të cilët përpiqen ta heshtin përmes censurës.
Si shpjegohet fakti që në Kosovë prodhohen individë që bëjnë thirrje për zhdukjen e Islamit dhe myslimanëve shqiptarë?
Përgjigje:
Kjo është ajo që populli e quan “të jesh më katolik se Papa”. Në shoqëritë perëndimore rrallë hasen thirrje të tilla ekstremiste, ndërsa në hapësirën shqiptare shfaqen individë që flasin për kryqëzata dhe inkuzicion. Persona që bëjnë thirrje publike për përndjekje fetare duhet të denoncohen dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore.
A përbëjnë këta individë rrezik real për shoqërinë shqiptare nëse do të kishin pushtet?
Përgjigje:
Historia ka treguar se ideologjitë ekstremiste, kur marrin pushtet, prodhojnë dhunë dhe përndjekje. Megjithatë, shqiptarët me shumicë myslimane nuk frikësohen nga këto zëra. Siç thotë populli, “qentë le të lehin, karvani ecën përpara”, dhe këto ide primitive do të kthehen në bumerang për vetë promovuesit e tyre.
Cili është apeli juaj për institucionet ligjzbatuese në rajon?
Përgjigje:
U bëj thirrje organeve ligjzbatuese në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut që të veprojnë kundër çdo individi, grupi apo organizate që nxit urrejtje fetare, etnike apo racore dhe rrezikon harmoninë shoqërore. Po ashtu, autoritetet kosovare duhet të shqyrtojnë seriozisht ndalimin e Lëvizjes së Deçanit si një lëvizje ekstremiste që cenon bashkëjetesën fetare, kulturore dhe kombëtare.
Gezim Katuci
Romë, 25.01.2026

















