Giuliano Amato: Franca rrezoi nje avion pasagjeresh ne 1980 per te vrare Gadafin

Ish-kryeministri italian, Giuliano Amato, në një intervistë pretendoi se një raketë e forcave ajrore franceze rrëzoi aksidentalisht një avion pasagjerësh mbi Detin Mesdhe në vitin 1980 në një përpjekje të dështuar për të vrarë liderin e atëhershëm të Libisë, Moammar Gadafi.

Ish-kryeministri i bëri thirrje presidentit francez Emmanuel Macron që ose të përgënjeshtrojë ose të konfirmojë pohimin e tij për shkakun e rrëzimit të 27 qershorit 1980, i cili vrau të gjithë 81 personat në bordin e fluturimit të brendshëm italian. Në një intervistë për të përditshmen italiane ‘La Repubblica’, Amato tha se është i bindur se avioni ishte goditur nga forcat ajrore franceze ndërsa kishte në shënjestër një avion ushtarak libian.

Ndërsa pranoi se nuk kishte prova të forta, Amato pohoi gjithashtu se Italia informoi Gadafin dhe kështu libiani, i cili po kthehej në Tripoli nga një takim në Jugosllavi, nuk hipi në avionin ushtarak libian.

“Versioni më i besueshëm është ai i përgjegjësisë së forcave ajrore franceze për çka ndodhi atë mbrëmje të 27 qershorit, në bashkëpunim me amerikanët”, citohet të ketë thënë zoti Amato.

NATO planifikonte të “simulonte një stërvitje, me shumë avionë në veprim, gjatë së cilës supozohej të hidhej dhe një raketë” që do të kishte Gadafin si objektiv, tha Amato.

Pas rrëzimit, zyrtarët francezë, amerikanë dhe të NATO-s mohuan që atë ditë të kishin zhvilluar aktivitete ajrore ushtarake. Sipas Amato, raketa dyshohet se është gjuajtur nga një avion luftarak francez e cila ishte nisur nga një aeroplanmbajtëse, që ndodhej ndoshta në brigjet jugore të Korsikës. Presidenti Macron, 45 vjeç, ishte fëmijë në kohën kur ndodhi aksidenti.

“Pyes veten se përse një president i ri në moshë si Macron-i, nuk do të donte të hiqte turpin që rëndon mbi Francën”, tha Amato për ‘La Repubblica-n’. “Dhe ai mund ta heqë këtë vetëm në dy mënyra – ose duke demonstruar se kjo tezë është e pabazuar ose pasi të verifikohet themeli i (tezës), duke i kërkuar faljen më të thellë Italisë dhe familjeve të viktimave në emër të qeverisë së tij”.

Amato tha se në vitin 2000, kur ishte kryeministër, ai u kishte shkruar presidentëve të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, përkatësisht Bill Clinton-it dhe Zhak Shirak-ut, për t’i bërë presion për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi. Por kërkesat e tij tha ai, kishin ndeshur në heshtjen totale të tyre. E pyetur nga Associated Press, zyra Macron tha të shtunën se nuk do të komentonte menjëherë rreth deklaratave të Amato.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i bëri thirrje Amatos të thotë nëse ka elementë konkretë për të mbështetur pohimet e tij, në mënyrë që qeveria e saj të mund të ndjekë mëtej këtë çështje. Fjalët e Amato “meritojnë vëmendje”, tha zonja Meloni në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj, ndërsa vuri në dukje se pohimet e ish-kryeministrit ishin “ishin deduksione personale të tij”.

Aksidenti i vitit 1980 me avionin italian me pasagjerë, vazhdon të mbetet një nga misteret më të qëndrueshme në Italinë e kohëve moderne. Disa thonë se ngjarja ishte pasojë e një bombe që kishte shpërthyer në bordin e avionit që po fluturonte nga Bolonja drejt Siçilisë, ndërsa të tjerë thonë se nga ekzaminimi i mbetjeve të nxjerra nga fundi i detit, disa vite më vonë, rezultoi se avioni ishte goditur nga një raketë. Gjurmët e radarit tregonin një mori aktivitetesh me avionë në atë pjesë të qiellit në momentin e aksidentit. / Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne