Gjermania vlerëson diplomacinë e Turqisë për të ringjallur marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka vlerësuar përpjekjet diplomatike të Turqisë për të ringjallur marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, duke e quajtur këto përpjekje “të rëndësishme”, transmeton Agjensia Anadoli.

“Loja e Putinit me marrëveshjen e drithërave është një lojë cinike. Përpjekjet e Turqisë për ta rikthyer marrëveshjen në rrugën e duhur janë të rëndësishme”, tha Baerbock në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me homologen e saj rumune, Luminita Odobescu.

“Rusia po përkeqëson krizën globale të urisë. Rusia po i drejton armët e anijeve të saj luftarake në Detin e Zi në anijet e drithërave dhe po bombardon qendrat për transportin e drithërave”, shtoi ajo.

Komentet e ministres Baerbock përkojnë me mbërritjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në qytetin bregdetar rus Sochi, ku ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB), për të transportuar drithëra nga tre portet e Ukrainës.

Ministrja Odobescu mbështeti komentet e homologes së saj gjermane duke dënuar sulmet ruse në infrastrukturën ukrainase.

“Ne praktikisht po shohim se Rusia sulmon në mënyrë cinike dhe vazhdon të sulmojë infrastrukturën civile, duke mos lejuar Ukrainën të eksportojë drithërat e saj”, tha Odobescu.

Rumania mohon se dronë rusë kanë rënë në territorin e saj

Odobescu gjithashtu mohoi lajmet se dronë rusë ranë dhe shpërthyen në territorin rumun dje në mbrëmje.

“Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha institucionet përgjegjëse në terren monitoruan në kohë reale situatën e krijuar nga sulmet me dronë rusë të kryer mbrëmë kundër infrastrukturës së porteve të Ukrainës. Sulmet me dronë nga Federata Ruse përbënin kërcënim të drejtpërdrejt ushtarak kundër territorit tonë kombëtar ose ujërave territoriale të Rumanisë”, tha Odobescu.

E pyetur nëse mund të ketë pasur një raketë apo dron rus të goditur aksidentalisht në territorin rumun, Odobescu u përgjigj: “Sigurisht që ka rrezik, sepse ajo që ndodh atje është shumë afër kufirit tonë. Sigurisht që ekziston rreziku i aksidenteve dhe incidenteve, por për momentin nuk ishte kështu”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne