Gjykata Penale Ndërkombëtare kërkon urdhër arrest për kryeministrin izraelit dhe liderin e Hamasit! Biden: E turpshme t’i barazosh

Gjykata Penale Ndërkombëtare po kërkon urdhra arresti për liderin e Hamasit, Yahya Sinwar dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me sulmet e 7 tetorit 2023 në Izrael dhe luftën pasuese në Gaza, tha kryeprokurori i gjykatës, Karim Khan për CNN.

Khan tha se Gjykata Penale Ndërkombëtare po kërkon gjithashtu urdhër për Ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant , si dhe dy liderë të tjerë të lartë të Hamasit – Mohammed Diab Ibrahim al-Masri, udhëheqësi i Brigadave Al Qassem, i njohur si Mohammed Deif, dhe Ismail Haniyeh, lider politik i Hamasit.

Urdhëresat kundër politikanëve izraelitë shënojnë herën e parë që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka vënë në shënjestër udhëheqësin më të lartë të një aleati të ngushtë të Shteteve të Bashkuara. Ky vendim e vendos Netanyahun në shoqërinë e presidentit rus Vladimir Putin, për të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Hagës lëshoi ​​një urdhër arresti për luftën e Moskës kundër Ukrainës.

“Akuzat kundër Netanyahut dhe Gallantit përfshijnë: shfarosje, vrasje, marrje pengjesh, përdhunim dhe sulm seksual në paraburgim”, ka thënë Khan Amanpour.

Një trupë e përbërë nga tre gjykatës do të vendosë nëse do të lëshohen urdhër-arrestet dhe nëse do ta lejojnë këtë çështje të vazhdojë. Izraeli nuk është anëtar i gjykatës dhe, edhe nëse urdhër-arrestet lëshohen, Kryeministri Netanyahu dhe ministri Gallant nuk përballen me ndonjë rrezik të menjëhershëm për ndjekje penale. Megjithatë, njoftimi i Kryeprokurorit Khan thellon izolimin e Izraelit teksa ai vazhdon luftën dhe urdhëri i arrestit mund ta bëjë të vështirë për udhëheqësit izraelitë udhëtimin jashtë vendit.

Dy udhëheqës të Hamasit, Sinwar dhe Deif besohet se fshihen në Gazë dhe Izraeli përpiqet t’i kapë apo vrasë ata. Drejtuesi i tretë, Haniyeh, udhëheqësi suprem i grupit militant islamik, jeton në Katar dhe shpesh udhëton në të gjithë rajonin. Kërkesa e zotit Khan duhet miratuar nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh, të cilëve u duhen mesatarisht dy muaj për të shqyrtuar provat dhe për të përcaktuar nëse mund të vazhdojë procesi./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne