Rajoni

Grekët sulmojnë ambasadën e Arabise Saudite në Athinë

Një grup anarkist grek, me emrin “Rubikoni”, ka sulmuar duke u gdhirë e enjte Ambasadën e Arabisë Saudite në Athinë.

Në një video të shkurtër që publikoi grupimi, duken pjesëtarë të tij me skafandra, të hedhin gurë dhe sende të tjera në brendësi të oborrit të godinës së ambasadës.

Grupimi e ka përligjur aksionin e vet me akuza ndaj familjes mbretërore saudite për ligjet që kjo familje zbaton, por edhe bombardimet mbi Jemen.

Por grupimi sulmon edhe qeverinë e SYRIZA-s, e cila para pak muajsh nënshkroi me Arabinë Saudite një marrëveshje për shitje raketash e municionesh, marrëveshje që përfundimisht u bllokua nga Parlamenti Europian.

“Rubikoni” është një grupim mjaft aktiv që shpesh herë realizon ndërhyrje spektakolare.

Para një muaji ata kishin mësyrë dhe hedhur fletushka në oborrin e ministrisë së mbrojtjes, që konsiderohet si godina më e mbrojtur në vend.

Më herët ata kanë bërë të njëjtën gjë në oborrin e parlamentit, ndërsa në tetor kishin mësyrë në ambasadën e Spanjës, në shenjë solidariteti me Katalonjën që pat shpallur pavarësinë.