Grupi terrorist PKK/YPG i mbështetur nga SHBA-ja vazhdon të rekrutojë fëmijë në Siri

Grupi terrorist YPG/PKK, i cili ka mbështetje të fortë të SHBA-së në Siri, vazhdon aktivitetin e tij kriminal duke rrëmbyer fëmijë të pafajshëm me qëllim që t’i rekrutojë ata si “fëmijë luftëtarë” pas shpërlarjes së trurit dhe izolimit nga familjet e tyre.

Pavarësisht takimit të përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) me terroristin e PKK-së, Ferhat Abdi Sahin, me emrin e koduar Mazlum Abdi, i cili është një nga drejtuesit e PKK/YPG-së që nënshkroi një “plan veprimi” në qershor të vitit 2019 në zyrën e OKB-së në Gjenevë për lirimin e “fëmijëve luftëtarë brenda organizatës”, PKK/YPG-ja terroriste “vazhdon këtë praktikë kriminale duke i marrë fëmijët nga familjet e tyre.

Grupi terrorist zakonisht rrëmben nxënës të shkollave në zonat që ka pushtuar në Siri, veçanërisht përgjatë rrugëve të shkollës dhe më pas i rekruton ata në forcat e armatosura të paligjshme.

PKK/YPG-ja, e cila i çon fëmijët e rrëmbyer dhe të ndaluar në kampe për stërvitje të armatosura, gjithashtu i ndalon ata të komunikojnë me familjet e tyre.

Fëmijët që detyrohen të marrin pjesë në stërvitje të armatosura përdoren në aktivitetet terroriste të organizatës. Imazhet dhe lajmet për “fëmijë luftëtarë” po ashtu u shfaqën në disa nga faqet e saj propagandistike të mediave sociale.

18 rrëmbime të tjera në muajin korrik

Sipas grupit opozitar kurd ‘Rendi i pavarur kurd’, PKK/YPG-ja rrëmbyen 18 fëmijë të tjerë të moshës 14-17 vjeç, përfshirë gjashtë nga Hasakah, shtatë nga Qamishli dhe pesë nga Halepi. Ata u dërguan në të ashtuquajturat kampe të stërvitjes në korrik të këtij viti.

Sabah Anter, vajza e të cilës u rrëmbye nga anëtarët e grupit terrorist dy vjet më parë në provincën Qamishli të kontrolluar nga PKK/YPG-ja në verilindje të Sirisë, më 3 gusht për Anadolu tha se “ajo ishte një vajzë e re që shkonte në shkollë kur u rrëmbye”.

“Shkova te forcat e sigurisë dhe zyrat e OKB-së në rajon për të protestuar kundër rrëmbimit të saj. Nuk ka mbetur asnjë derë në të cilën nuk kam trokitur për drejtësi”, tha Anter, duke shtuar se “nuk ka mundur të gjej vajzën”.

“Vajza ime ishte shumë e rë. Ajo u rrëmbye nga organizata terroriste kur ishte vetëm 16 vjeç. Ajo donte të bëhet mësuese”, shtoi ajo.

Varre të adoleshentëve në Ayn-al Arab

Fotografitë e Anadolu të shkrepura në muajin qershor të vitit të kaluar të gurëve të varreve në lagjen Ayn-al Arab, ku janë varrosur viktimat e PKK/YPG-së të “fëmijëve luftëtarë” të rrëmbyer, tregojnë qartë moshat e tyre midis 14 dhe 17 vjeç në gjuhën arabe dhe kurde.

Gurët e varreve në varrezat në lagjen Ayn-al Arab të pushtuar nga PKK/YPG-ja tregojnë se organizata terroriste po i tërheq me forcë fëmijët në dhunë pas rrëmbimit të tyre dhe ndarjes nga familjet e tyre.

SHBA-ja, e cila flet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, po rrit bashkëpunimin e saj me PKK/YPG-në në Siri, e cila ka një histori të keqe për krimet terroriste.

SHBA-ja i ofron mbështetje financiare dhe politike organizatës terroriste, e cila ndan qindra fëmijë nga familjet e tyre dhe i pajis me armë të lehta dhe të rënda për të marrë pjesë në aktivitete terroriste.

Dokumenti i OKB-së

Virginia Gamba, përfaqësuesja e posaçme e shefit të OKB-së për fëmijët në konflikte të armatosura, nënshkroi planin e veprimit të përgatitur për “lirimin e fëmijëve luftëtarë brenda organizatës” më 29 qershor të vitit 2019, por pa dijeninë e shteteve anëtare.

Ankaraja më vonë lëshoi një notë proteste për OKB-në lidhur me këtë çështje.

Në një raport të publikuar më 16 janar të vitit 2020, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut zbuloi se terroristët e PKK/YPG-së po përdorin fëmijët si “luftëtarë” në Siri.

Fakti se grupi terrorist detyron fëmijët të luftojnë është përmendur edhe në “Raportin e trafikimit të qenieve njerëzore 2020”, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 26 qershor të vitit 2020.

Në raport theksohet se YPG-ja vazhdoi të rekrutojë dhe përdorë me forcë edhe djem dhe vajza 12-vjeçare nga kampet e azilit në Sirinë veriperëndimore.

OKB-ja përgatiti raportin “Fëmijët në konfliktet e armatosura” për periudhën janar-dhjetor 2022, për organizatën terroriste PKK dhe shtrirjen siriane SDF dhe YPG. Në dokument thuhej se mbi 1.200 fëmijë ishin përdorur si “ushtarë” në vitin 2022.

Sipas raportit, dega siriane e PKK-së, SDF-ja, ka rekrutuar 637 fëmijë, ndërsa PKK/YPG-ja dhe organizatat e lidhur me SDF-në kanë rekrutuar 633 fëmijë në stafin e tyre të armatosur.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, pikëpamjet e të cilit u përfshinë në raport, u shpreh se sa “jashtëzakonisht i shqetësuar” ndihet për përdorimin e fëmijëve si “ushtarë” nga PKK/YPG-ja.

“I ftoj ata të ndalojnë përdorimin e fëmijëve si ushtarë dhe për qëllime të ndryshme dhe të lirojnë të gjithë fëmijët në radhët e tyre”, thuhet në raport ku citohet shefi i OKB-së.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së terroriste./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne