Hamasi refuzon thirrjen e Izraelit për zhvendosjen e popullsisë së Gazës

Grupi i rezistencës palestineze Hamas ka hedhur poshtë komentet e ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, nga radhët e ekstremit të djathtë, lidhur me thirrjen e tij për zhvendosjen e palestinezëve në Rripin e Gazës. “Ne i themi Smotrich-it dhe njerëzve si ai se ne jemi ata që do të qëndrojmë në këtë tokë”, tha Osama Hemdan, anëtar i lartë i Hamasit, në një konferencë për media në kryeqytetin libanez Bejrut.

Hemdan akuzoi ushtrinë izraelite se vë në shënjestër qëllimisht spitalet për t’i detyruar palestinezët në “emigrim të detyruar”. “Pushtimi (izraelit) vë në shënjestër spitalet, qendrat shëndetësore dhe infrastrukturën në Gaza për t’i privuar njerëzit tanë nga shërbimet dhe nevojat bazë dhe për t’i detyruar ata të migrojnë me forcë, në një përsëritje të skenave të Nakba-s të vitit 1948”, tha ai.

Më herët, Smotrich tha se “emigrimi vullnetar” i palestinezëve në Gaza është “zgjidhja e duhur humanitare” për enklavën e rrethuar dhe për rajonin. Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një ofensivë ndërkufitare nga Hamasi më 7 tetor.

Që atëherë, të paktën 11.240 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 7.800 fëmijë dhe gra, si dhe mbi 29.200 të tjerë janë plagosur. Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në ofensivën izraelite. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1.200./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne