Hamasi: SHBA-ja përçmon ligjin ndërkombëtar me qëndrimin e saj ndaj ndjekjes penale të Izraelit

Hamasi deklaroi se qëndrimi i SHBA-së ndaj çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut që Izraeli të gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) përbën “përçmim” të së drejtës ndërkombëtare. Në një deklaratë për çështjen në fjalë, Hamasi ka reaguar ndaj deklaratave të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas takimit të djeshëm me zyrtarët izraelitë.

Në deklaratë thuhet se deklaratat e Blinkenit në lidhje me çështjen e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në GJND përbëjnë “përçmim” për të drejtën ndërkombëtare dhe se ky qëndrim i SHBA-së është një përpjekje për të penguar mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë që të përmbushin detyrat e tyre. Gjithashtu i bëhet thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj në mbështetje të krimit të gjenocidit të kryer në Gaza.

Në deklaratën pas takimit të tij me zyrtarët izraelitë dje, Blinken argumentoi se “paraqitja e padisë kundër Izraelit nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndërpreu përpjekjet për të kontrolluar përshkallëzimin në Rripin e Gazës”.

“Rasti i gjenocidit” i paraqitur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në GJND

Republika e Afrikës së Jugut ngriti një padi në GJND më 29 dhjetor, me arsyetimin se Izraeli me veprimet që kreu në Gaza që nga 7 tetori shkeli Konventën e Gjenocidit.

Ndërsa Afrika e Jugut i kërkon GJND-së të lëshojë një urdhër për shkak të urgjencës së situatës, pritet që avokatët afrikano-jugor të bëjnë prezantimet e tyre para gjyqtarëve të Gjykatës mbi domosdoshmërinë e masave paraprake në seancën dëgjimore më 11 janar, dhe avokatët izraelitë do bëjnë prezantimet e tyre para gjyqtarëve të Gjykatës më 12 janar. Në përputhje me nenin 9 të Konventës së OKB-së të vitit 1948 për Parandalimin dhe Dënimin e Gjenocidit, nëse një shtet shkel nenet e konventës, çdo shtet palë në konventë mund të ngrejë padi kundër shtetit shkelës në GJND./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne