Hebrenjtë fanatikë në Izrael bastisin konviktin e studentëve palestinezë me thirrjen “Vdekje arabëve”

Qindra hebrenj fanatikë në qytetin Netanya të Izraelit, duke thirrur “Vdekje arabëve” bastisën konviktin universitar ku qëndrojnë studentët palestinezë shtetas të Izraelit.

Sipas pamjeve në shtypin izraelit dhe të postuara në median sociale, qindra hebrenj fanatikë me arsyen se ndaj një sinagoge është “hedhur vezë” sulmuan konviktin universitar në të cilin qëndrojnë studentët palestinezë që janë shtetas izraelitë në qytetin Netanya.

Turma e ekstremit të djathtë duke bërë shpesh herë thirrjen “Vdekje arabëve” shqelmuan dyert e konviktit dhe duke lëshuar sende të huaja tentuan të hyjnë nëpër dhoma. Në pamjet e paraqitura në median sociale, tërheq vëmendjen prania e vogël e policisë izraelite dhe mos ndërhyrja e drejtpërdrejtë ndaj agresorëve.

Një aktivist i ekstremit të djathtë një prej liderëve të grupit hebre fanatik, ka postuar pamje lidhur me momentin e ngjarjes dhe në llogarinë e tij në median sociale ka shkruar “Nuk do të ndalemi deri kur të dëbojmë arabët”. Aktivist i ekstremit të djathtë në një postim nga platforma e medias sociale X tha se “Nuk do dorëzohemi derisa të dëbojmë arabët në universitetin Netanya! Policia, bashkia, shteti nuk mund të na ndalë!”.

Në lajmin e gazetës “Yediot Ahronot” thuhet se sulmi në fjalë ka ndodhur pas një sulmi me vezë ndaj një sinagoge në rajon dhe “dëgjimin e muzikës me zë të lartë” në konvikt gjatë ditës Shabat (e shtunë), e cila është e shenjtë sipas hebrenjve.

Kryetarja e bashkisë Netanya, Miriam Fierberg Icher preferoi evakuimin e studentëve kundër sulmeve të hebrenjve fanatikë.

Një zyrtar lokal izraelit që ka folur për “Yediot Ahronot” tha se menjëherë pas “trazirave” që u shënuan para konviktit i kërkoi administratës së universitetit të evakuojë konviktet e studentëve.

Në një deklaratë me shkrim nga policia izraelite thuhet se “protesta” në afërsi të konviktit u shpërnda dhe se të gjithë studentët që qëndronin në konvikt kanë shkuar në shtëpitë e tyre. Në deklaratë vihet në dukje se studentët nuk janë dëmtuar në incidente.

Derisa Izraeli që nga 7 tetori ka rritur sulmet dhe bombardimet në Rripin e Gazës, nga kolonët fanatikë hebrenj ka patur një rritje të sulmeve kundër palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor nën pushtim si dhe brenda Izraelit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne