“I përfshirë edhe në çështje të tjera”, SPAK urdhërarreste për disa zyrtarë të bashkisë së Tiranës, Lëvizja BASHKË: Pse nuk hetohet Erion Veliaj?!

Lëvizja BASHKË ka reaguar pas lëshimit të 15 urdhërarresteve për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës, të cilët akuzohen për aferën e inceneratorit të kryeqytetit. Në një reagim të bërë në faqen e Facebook, Lëvizja BASHKË shprehet se ajo që vihet re është mungesa e hetimit për drejtuesit e lartë të Bashkisë dhe konkretisht Erion Veliaj.

“Dje SPAK-u ka lëshuar 15 urdhër-arreste në lidhje me skandalin e inceneratorit të Tiranës, një çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të mungesës së hetimit ndaj drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës, veçanërisht Erion Veliajt. Ky i fundit ka nënshkruar shkresën për inceneratorin, por ende nuk është përfshirë në hetimet e SPAK. Kjo ngjall dyshime në publik për një hetim të paplotë, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një përpjekje për të mbrojtur figurat e larta politike. Në të njëjtën mënyrë prokuroria ka vepruar edhe me ish-ministrin Ilir Beqja.

Erion Veliaj është i përfshirë edhe në çështje të tjera të kontestuara, siç janë përgjimet e Ndragheta-s që tregojnë pastrimin e parave nëpërmjet projekteve të ndërtimit të kullave në Tiranë. Këto akuza janë shumë serioze dhe kërkojnë një hetim të thellë dhe të paanshëm.

Përveç kësaj, Veliaj është i akuzuar edhe për shembjen e Teatrit Kombëtar pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, një vendim që shkaktoi protesta të mëdha dhe kritika të ashpra nga komuniteti artistik dhe qytetarët. Kjo veprimtari ka ngritur pyetje mbi transparencën dhe proceset vendimmarrëse në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu, rasti tragjik i vdekjes së Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, ku Veliaj akuzohet si përgjegjësi kryesor, është një tjetër shembull i mungesës së përgjegjësisë dhe paprekshmërisë së të fuqishmëve.

Këto e të tjera çështje të pahetuara lënë hapësirë për dyshime mbi efektivitetin dhe paanshmërinë e sistemit të ri të drejtësisë. Publiku kërkon transparencë dhe drejtësi. Besueshmëria e institucioneve të drejtësisë do të varet nga guximi dhe paanësia për t’iu shkuar skandaleve korruptive deri në fund.

Pavarësisht ardhmërisë së hetimeve, skandalet e mësipërme do të kërkonin së paku dorëheqjen e një zyrtari të përgjegjshëm. Po Erion Veliaj nuk ka lidhje me përgjegjshmërinë dhe as etikën qytetare. Në mungesë të institucioneve të drejtësisë, nga karrikja e korrupsionit mund ta shkulin vetëm qytetarët e Tiranës”, thuhet në këtë deklaratë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne