Irani paralajmëron Izraelin për ndërhyrje nëse sulmet në Gaza nuk ndalen

Irani ka paralajmëruar të shtunën se nëse sulmet izraelite në Gaza vazhdojnë, Teherani “do të duhet të ndërhyjë”, raportuan mediat amerikane,

Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, e cila ka cituar dy burime diplomatike të paidentifikuara, ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian ka përjellë mesazhin e vendit të tij gjatë një takimi në Bejrut me Tor Wennesland, koordinatorin special të OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Wennesland i ka kërkuar Amir-Abdollahianit të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së konfliktit izraelito-palestinez në rajon.

Sipas burimeve, Amir-Abdollahian ka thënë gjithashtu se Irani nuk dëshiron që konflikti të kthehet në një luftë rajonale dhe se mund të ndihmojë në lirimin e izraelitëve të mbajtur peng nga Hamasi në Gaza.

Amir-Abdollahian ka theksuar se vendi i tij ka “vija të kuqe” dhe i ka thënë të dërguarit të OKB-së se nëse sulmet e Izraelit vazhdojnë dhe veçanërisht nëse fillon një sulm tokësor në Gaza, Irani “do të duhet të përgjigjet”.

Wennesland thuhet se ka kontaktuar zyrtarët izraelitë, veçanërisht këshilltarin izraelit për sigurinë kombëtare Tzachi Hanegbi, dhe ka përcjellë mesazhin e Iranit në Tel Aviv.

Në një deklaratë me shkrim, Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se Amir-Abdollahian dhe Wennesland u takuan në ambasadën iraniane në Bejrut.

Amir-Abdollahian, i cili u takua me sekretarin e përgjithshëm të Hezbollahut libanez, Hasan Nasrallah, si dhe me zyrtarë të lartë të grupeve të rezistencës palestineze Hamas dhe Xhihadit Islam si pjesë e kontakteve të tij në Bejrut, i bëri thirrje Izraelit të ndalojë menjëherë sulmet e tij në Gaza dhe tha se “fronti i rezistencës është në gatishmëri”.

Mesazhi vjen ndërsa konflikti mbushi një javë dhe gjersa po paralajmërohet një ofensivë tokësore izraelite në Gaza.

Sulmet ajrore në Rripin e Gazës kanë vazhduar, kurse OKB-ja dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë thonë se ndërprerja e furnizimeve me ushqim, ujë dhe energji elektrike në Gaza nga ana e Izraelit dhe urdhri për evakuim nga veriu në jug rrezikon të shkaktojë një fatkeqësi humanitare për 2,2 milionë banorët e rripit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne