Ishte në kërkim/ Kaloi pa deklaruar mbi 500 mijë euro në Portin e Durrësit, arrestohet pronari i agjencisë turistike

Pronari i agjencisë turistike ‘Buon Aventura’, i cili 1 vit më parë u kap me 522 mijë euro të padeklaruara në një furgon në emër të kësaj kompanie që vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë është arrestuar sot nga policia e Durrësit.

Sipas burimeve nga policia për “BalkanWeb” Elidon Çela, 33 vjeç është arrestuar sa ka zbritur nga trageti në portin e Durrësit nga Krimi ekonomik i DVP Durrës, teksa i janë gjetur sërish 9 mijë euro.

Kujtojmë se për lejimin e tij për të dalë jashtë vendit u arrestua nga AMP efektivi i policisë, kontrollor në Port Gledis Lushi.

Çela ishte shpallur në kërkim për sasinë e madhe të eurove të kapura në portin e Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, i zhvilluar në tetor të vitit 2022, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Durrës.

 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 14 shtator 2023, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këtë shtetas.

Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti 9000 euro.

33-vjeçari, i shpallur në kërkim për sasinë e madhe të eurove të kapura në portin e Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, i zhvilluar në tetor të vitit 2022, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore në portin e Durrësit.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në inteligjencën policore për një shtetas të shpallur në kërkim që do të kthehej nga Italia në Durrës, me traget, kanë organizuar punën dhe në momentin që shtetasi E. Ç. ka zbritur nga trageti, shërbimet e Policisë e kanë vënë në pranga.

Në vijim të veprimeve, shtetasi E. Ç., 33 vjeç, banues në Lushnjë, u arrestua pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 14 shtator 2023, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këtë shtetas.

Gjatë kontrollit, në momentin e ndalimit, këtij shtetasi iu gjetën 9 000 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me detyrim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet e akcizes”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./BW

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne