Izraeli do të shfuqizojë përjashtimet nga taksat për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, ka bërë të ditur se ai planifikon të anulojë përjashtimet nga taksat për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).

“Shteti i Izraelit nuk do t’u japë përfitime tatimore ndihmësve terroristë”, shkroi Smotrich në platformën sociale X.

Izraeli pretendon se 12 anëtarë të stafit të UNRWA-së ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit të 7 tetorit, ku Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Disa vende, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë dhe Kanadanë, kanë pezulluar fondet për UNRWA-në pas akuzave izraelite.

Agjencia e OKB-së ka deklaruar se është duke i hetuar këto akuza.

E themeluar në vitin 1949 për të ndihmuar refugjatët palestinezë në të gjithë Lindjen e Mesme, UNRWA-ja gëzon përjashtime doganore dhe të taksave për produktet e importuara për operacionet e agjencisë.

Shpenzimet e agjencisë së OKB-së në Gaza dhe Bregun Perëndimor vlerësohen në rreth 600 milionë dollarë në vit.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza më 7 tetor, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, duke vrarë të paktën 27.708 palestinezë dhe duke plagosur afër 67.150 të tjerë.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne