Izraeli kthen edhe 15 kufoma të palestinezëve nga Gaza

Ministria e Shëndetësisë njofton se deri tani janë kthyer trupat e 345 palestinezëve.

Izraeli të mërkurën ka rikthyer kufomat e edhe 15 të burgosurve palestinezë përmes ekipeve të Kryqit të Kuq në Rripin e Gazës, në kuadër të marrëveshjes për armëpushim, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ministria bëri të ditur se nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor, janë rikthyer gjithsej kufomat e 345 palestinezëve.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se deri më tani ekipet mjeko-ligjore kanë identifikuar 99 nga 345 kufomat e dorëzuara pa asnjë dokumentacion shoqërues.

Familjet po përpiqen të identifikojnë kufomat e të afërmve të tyre përmes shenjave fizike ose veshjeve, pasi objektet mjeko-ligjore në Gaza vazhdojnë të jenë jashtë funksionit për shkak të viteve të bllokadës izraelite dhe shkatërrimit të laboratorëve.

Ministria e Shëndetësisë më herët ka njoftuar se shumë nga trupat e dorëzuar nga Izraeli mbajnë shenja të dukshme keqtrajtimi, përfshirë rrahje, duar të lidhura, fashë në sy dhe dëmtime të fytyrës, dhe se janë rikthyer pa emra.

Para armëpushimit, Izraeli mbante 735 trupa palestinezësh në të ashtuquajturat “varrezat e numrave”, sipas Fushatës Kombëtare Palestinase për gjetjen e kufomave të martirëve.

Sipas gazetës izraelite “Haaretz”, ushtria mban rreth 1.500 trupa palestinezësh nga Gaza në bazën famëkeqe ushtarake Sde Teiman në jug të Izraelit.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 70.000 njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur 171.000 të tjerë, në një luftë brutale që ka lënë pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja./trtbalkan

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne