Izraeli liron pas 7 muajsh drejtorin e spitalit “Shifa” në Gaza, Abu Silmiyye

Ushtria izraelite liroi Mohammed Abu Silmiyye, drejtorin e spitalit “Shifa” në Rripin e Gazës, 7 muaj pas ndalimit të tij. Sipas informacioneve të marra nga Anadolu në rajon, ushtria izraelite liroi 50 palestinezë të ndaluar në kufijtë qendrorë dhe juglindorë të Rripit të Gazës, përfshirë Abu Silmiyye-n.

Ata që u liruan u sollën në Spitalin e Dëshmorëve “Aksa” në qytetin Deir al-Balah dhe në spitalin “Nasser” në Khan Younis të Gazës. Forcat izraelite arrestuan Mohammed Abu Silmiyye, drejtorin e spitalit “Shifa” në qytetin e Gazës, që ndodhet në veri të Rripit të Gazës, më 23 nëntor 2023.

– “Të robëruarit po përjetojnë një tragjedi të paprecedentë në historinë palestineze që nga Nakba”. Duke folur për media pas lirimit të tij, Abu Silmiyye tha: “Të robëruarit dhe të burgosurit në burgjet okupuese izraelite po përjetojnë një tragjedi që nuk është parë në historinë e Palestinës që nga Nakba (Katastrofa e Madhe)”.

Abu Silmiyye tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë hap vendimtar për lirimin e të gjithë robërve dhe të burgosurve palestinezë. “Të robëruarit u nënshtrohen mungesës së ushqimit, poshtërimit fizik dhe torturës në burgjet okupuese”, tha ai.

Ka personel mjekësor që ka vdekur nga tortura

Abu Silmiyye tha se ka personel mjekësor që ka humbur jetën nga torturat në burgjet izraelite dhe se ka të burgosur të sëmurë që nuk mund të marrin as edhe një pilulë të vetme.

– “Ne do ta bëjmë spitalin ‘Shifa’ më të mirë se më parë”

Drejtori i spitalit “Shifa”, Abu Silmiyye tha: “Izraeli pushtues shkatërroi gjithçka. Ai vrau fëmijë dhe gra. Sulmoi të gjithë në Gaza. Pavarësisht gjithë kësaj, ne do ta rindërtojmë Gazën nga e para dhe do ta bëjmë spitalin ‘Shifa’ më të mirë se më parë”.

Ushtria izraelite bastisi spitalin “Shifa” në qytetin e Gazës më 14 nëntor, pas disa ditësh rrethimi, dhe më pas kreu një shkatërrim të madh në spital.

– Reagimi i ministrit izraelit Ben-Gvir për lirimin e Abu Silmiyye-s

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i njohur për pikëpamjet e tij të ekstremit të djathtë, reagoi ndaj lirimit të drejtorit të spitalit “Shifa”, Abu Silmiyye dhe palestinezëve të tjerë.

Në deklaratën në llogarinë e tij në mediat sociale, Ben-Gvir synoi ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe kreun e Agjencisë së Inteligjencës së Brendshme, Shin-Bet Ronen Bar për lirimin e Abu Silmiyyes.

Duke pretenduar se Gallant dhe Bar po zbatojnë politika të pavarura nga kabineti izraelit, Ben-Gvir i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që t’i “ndalojë” këta dy emra./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne